Agoni u vra a vetëvra në duar të shtetit, mos e lëndoni edhe më familjen Musliu!

0

Zbardhja e këtij rasti tragjik, tepër të rëndë e tronditëse për familjen e Naim Musliut, kërkon përgjegjësi institucionale, për çka duhen hetime serioze dhe të pandikuara.

Jusuf BYTYÇI

Dorëheqje institucionale pas tragjedisë së të dielës së 3 majit në ambientet e konviktit të Qendrës së Studentëve, aktualisht Qendër karantine 2 javore për të kthyerit nga diaspora, do të duhej të kishte, edhe nëse nuk ndihen fajtorë autoritetet kompetente të Qeverisë në detyrë. Të paktën, dorëheqja do të kuptohej si akt moral. Vdekja tragjike e 26 vjeçarit, studentit Gjilanas, Agon Musliu, duhet të hetohet me urgjencë e pa hamendje. Institucionet kompetente duhet të
vëhen në përgjegjësi, për shkakun se, të riun fatkeq shteti ynë, Ministria e Shëndetësisë e mbajti me forcë në karantinë! Edhe përkundër dokumenteve për kthim me prioritet nga Gjermania, ku studenti, tash i ndjerë, kishte shkuar për studime masteri, ai nga AN “Adem Jashari” u transferua drejtë dhe me detyrim në karantinë në Qendrën e Studentëve.
I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pati shpjeguar se fillimisht Komuna e Gjilanit pas kërkesës së familjes Musliu, kishte kërkuar që Agoni të kthehet sa më shpejtë në shtëpi dhe Ambasada e Kosovës në Berlin e kishte marrë parasysh, duke ia aprovuar kërkesën. Por kjo gjysmë Qeveri, nuk tregoi mirëkuptim as për raste urgjente! Pra pas mbërritjes në aeroport, Naimi, babai i të ndjerit ka tentuar t’a takojë djalin, por nuk është lejuar. I zhgënjyer dhe njëherësh i shqetësuar arsyeshëm, Naim Musliu ka kontaktuar sërish me Komunën e Gjilanit, duke kërkuar që djali i tij të mos dërgohet në Qendrën e Studentëve. Për dallim nga autoritetet e gjysmë qeverisë Kurti, Komuna e Gjilanit, menjëherë ka kontaktuar me Qendrën Operative në Prishtinë dhe ka parashtruar këtë kërkesë. Por, nga atje sërish oportunizëm, injorim total!
Mekanizmat detyruese të Qeverisë në detyrë, të gjysmë ministrit famëkeq të MPB., Xhelal Sfeçla dhe në bazë të urdhrave të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, absolutisht e poshtëruan, edhe prindin e Agonit, Naimin! E shtyen, e kërcënuan, edhe pse ai kishte hall të rëndë! E injoruan, e poshtëruan skajshmërisht Naim Musliun, edhe përkundër shpjegimeve të zëshme të tij për shqetësimet e rënda shëndetesore të djalit të tij të vetëm! Nuk i kishin ndihmuar asgjë kërkesat institucionale, respektivisht interesimi i kreut të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në Ambasadën e Kosovës në Gjermani, për kthim me prioritet të Agonit, pas shqetësimeve serioze për shëndetin e tij, nuk u tumir as letra-kërkesa e Qendrës Operative të Menaxhimit të pandemisë Covid-19, në Prishtinë, për t’i mundësuar Naimit, të udhëtoj në aeroport, të paktën për t’a parë djalin e tij, Agonin. I shqetësuar me arsye për fatin e të birit të vetëm, Naimi doli edhe përpara autobusit, që të paktën dikush të kishte pak ndërgjegje, t’a ndalte pak çaste autobusin dhe t’a kuptonte hallin e tij, t’a takonte Agonin, të shmallej pak para se ai të hynte për vendosje në karantinën e ferrit për studentin shembullor! As kjo përpjekje me rrezik për arrestim, nuk i pati sukses, fatkeqësisht, kurrë më nuk e pa të gjallë Agonin, pasi ai u vra, u vetëvra tragjikisht po atë ditë në orët e vona të pasdites në duar të Shtetit të Kosovës, nën urdhrat e gjysmëministrave të gjysmë Qeverisë Kurti! E pra, kur dikush e humb jetën në këtë mënyrë, duke qenë nën urdhrat e mekanizmave shtetërore, përgjegjësia duhet adresuar menjëherë. Përgjegjësit e institucioneve kompetente përkatëse, duhet dhënë përgjegjësi konkrete, pasi e mbajtën të riun A. Musliu, në karantinë në mënyrë të detyrueshme. Mbase gjysmë ministrat e gjysmë qeverisë Kurti, me këtë sjellje paradoksale, sikur kanë dëshmuar edhe kokëfortësi, injorancë dhe inate edhe kundër vet kreut të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri! Vet Haziri, pas rastit tragjik të 26 vjeçarit Agon Musliu, qe shprehur për mediet tona se “Kërkova nga Qeveria, që tashmë i ndjeri Agon Musliu, i cili i dha fund jetës pasditen e së dielës, të mos dërgohet në karantinë, por të vetëizolohet në shtëpi, por nuk më dëgjuan!
Kthimi i tij, karantimi i tij dhe akti i vetëvrasjes ka qenë fatal, zbardhja e të cilit do hetim serioz! Do veprim pa hamendje, pasi pos arsyetimeve të autoriteteve të MSH, si sekretari Bardiqi, etj., por edhe jo pak analistë, kuazi e pseudoanalistë, opinionistë etj., në debatet televizive, si Rron Gjinoci etj., po e lëndojnë edhe më tej familjen Musliu! Mendoni dhe vlerësoni me dorë në zemër, sikur Agoni të ishte fëmija i secilit prej nesh! Hyni në lëkurën e Naim Musliut, në zemrën e tij përvëluese, pastaj gjykoni! Absolutisht askush nuk ka nevojë të mbrojë asnjë person përgjegjës, as ministrin e dalluar Vitia, i cili bashkë me Sfeçlën, është dashur të japin dorëheqje, të paktën si akt moral të tyre për hetime të pandikuara!
Dikush është fajtor për këtë vdekje tragjike, që tronditi jo vetëm familjen Musliu. Agonit, shteti i tij nuk qe në gjendje t’i ofrojë kujdes! Prandaj, organet e hetuesisë, pavarësisht nga “vullneti” i gjysmë ministrit famëkeq, Xh. Sfeçla, apo edhe të mjekut tjetër, A. Vitia, këtë rast duhet t’a shqyrtojnë me urgjencë, pa hamendje dhe me seriozitetin më të lartë. Duhet të zbardhet rasti, duhet zbardhur të gjitha rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit, Agon Musliu, nga Gjilani. Të mos mbetet mister si shumë e shumë raste të tjera në Kosovë!

-Sponzor-