Cila është e kaluara e Liridon Uruqit që vrau 22-vjeçarin në Bresalc të Gjilanit

0

Disa vepra penale janë listuar nga prokuroria e Gjilanit për të dëshmuar se Liridon Uruqi, i dyshuari kryesor për vrasjen e 22 vjeçarit në Bresalc të Gjilanit ka të kaluar kriminale.

Në një dokument të siguruar nga Kallxo.com përshkruhet e kaluara e Uruqit, argument ky që është përdorur për ta arsyetuar edhe paraburgimin e tij.

Sponzor

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan thuhet se i dyshuari në të kaluarën ka qenë i dënuar me 1000 euro gjobë për një vepër penale, 75 ditë burg të cilat janë zëvendësuar me 800 euro gjobë dhe i dënuar me 180 ditë burg për një vepër tjetër.

Sipas aktvendimit të Gjykatës, Liridon Uruqi është dënuar edhe me 180 ditë burg për një vepër, rast ky i cili është kthyer në rigjykim dhe është ende në procedurë.

Në dënimet e Liridon Uruqit bëjnë pjesë edhe dy vepra të tjera për të cilat Uruqi ka qenë i dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg dhe 500 euro gjobë, rast ky i cili është kthyer në rigjykim dhe për një rast tjetër për të cilin është dënuar me 2 vjet burg dhe 500 euro gjobë.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan thuhet se në Departamentin e Përgjithshëm Uruqi është i evidentuar me shtatë vepra të tjera.

Uruqi është arrestuar pak orë pas ngjarjes tragjike ku u vra 22-vjeçari nga Bresalci. Në seancën e djeshme Uruqi ka shprehur keqardhjen për tërë atë çfarë ka ndodhur.

22-vjeçari, F.A., u qëllua në rrethana ende të paqarta mbrëmjen e së shtunës në fshatin Bresalc të Gjilanit. Personi i dyshuar për vrasjen, sipas vendimit të Gjykatës, do qëndrojë në paraburgim për 30 ditë, ndërsa mbrojtja ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

 

-Sponzor-