Fetah Rudi: Më arrestuan e më burgosën se e mbështesja Rugovën

0

Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, dikur pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur për arrestimin e tij, në vitin 1999.

Rudi ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se arsyeja e vërtetë pse ishte arrestuar ka qenë mbështetja e tij për presidentin Ibrahim Rugova dhe institucionet e Kosovës.

Sponzor

“Më kanë arrestuar, kinse e kam penguar luftën, kinse kam bërë diçka jo të mirë”, ka deklaruar ai.

“Por, jam arrestuar vetëm se i kam përkrahur institucionet e Kosovës, asgjë tjetër s’ka pasur”, është shprehur ai.

Rudi ka deklaruar se akuzën ndaj tij e kanë bërë individë, që njihen me emër e mbiemër.

Ai ka thënë se në burg ka qëndruar nga 6 qershori deri më 16 qershor 1999.

“Më kanë liruar pasi kanë hyrë forcat e NATO’s”, ka kujtuar Rudi në T7.

Ai ka thënë se arrestimi i tij është bërë nga “njerëz që kanë qenë pjesë e UÇK’së, sot kanë pozitat e larta në institucionet e Republikës së Kosovës, në institucionet komunale”.

Rudi më herët ka treguar se sa ishte pjesë e UÇK’së takohej rregullisht me presidentin Rugova – zhvishte uniformën dhe shkonte në Prishtinë për t’u përfshirë në diskutimet me të.

-Sponzor-