Fjalimi i anglezit Alasdair Bell, që shtyu Kosovën në UEFA:

0

Thuajse secila bisedë në kafiteritë e Kosovës ditëve të fundit lidhet me ndeshjen e fundit të kombëtares sonë, në ciklin e kualifikueseve për Euro 2020. Kosova do të jetë nikoqire e Anglisë, për ndeshjen që do të luhet të dielën, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Kosova ka luajtur edhe shumë ndeshje të tjera në këtë stadium, ka luajtur edhe në Mitrovicë, në stadiumin ‘Adem Jashari’, por edhe në ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës. Kombëtare mike si Kroacia, Turqia e Finlanda ishin mysafiret tonat, por asnjëra nuk përjetoi pritjen që po përjeton kombëtarja angleze, edhe pse asnjëra nga to nuk hasi në ndonjë incident apo fyerje, shkruan lajmi.net.

Sponzor

Normalisht, nuk do duhej të çuditeshim për një gjë të tillë. Historia e shtet-ndërtimit tonë lidhet krejtësisht me Britaninë e Madhe. Kontributi që shteti i Anglisë ka dhënë për çlirimin e Kosovës fillimisht, por më vonë edhe për pavarësinë e këtij vendi, si dhe ndihmën për t’u njohur nga vendet e tjera, janë disa nga ‘arsyet politike’ që kanë shtyrë qytetarët e Kosovës të organizohen në masë kaq të madhe për t’iu bërë pritje të ngrohtë anglezëve.

Por, këto ‘arsye politike’ nuk janë të vetmet. Edhe në pranimin e Kosovës në UEFA, që ishte pavarësia e sportit kosovar, ndoshta edhe ngjarja më e madhe deri më tani qysh nga shkurti i 2008-ës, ishte pikërisht Britania e Madhe që luajti rolin kyç – saktësisht Alasdair Bell, përfaqësues në UEFA, shkruan lajmi.net.

Asokohe, legjenda e futbollit kosovar, që udhëhiqte shtëpinë më të madhe të futbollit në Kosovë, FFK, Fadil Vokrri, udhëtonte i bindur se votat për pranimin e Kosovës në UEFA ishin të mjaftueshme. Por, për fat të keq, në votimin e parë, në nenin kryesor që Kosova duhej ta kalonte, numrat nuk dolën siç ishin parashikuar. Frika kaploi të gjithë. Heshtja mbizotëronte. Dukeshim të mposhtur para vendeve që kundërshtonin pranimin tonë në UEFA. Por, këtu u luajt karta më e fortë që kishte Kosova. Karta e miqësisë me Anglinë. Alasdair Bell merr fjalën.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë kompetencë për t’i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet. Nëse nuk je anëtar i OKB nuk do të thotë se nuk je shtet. Katër kriteret e të qenit shtet janë përcaktimi i territorit, popullata, qeveria dhe aftësia për të arritur marrëveshje me të tjerët.

“Prandaj anëtarët e Kongresit do të vendosin vet nëse Kosova e meriton të pranohet në UEFA apo jo” – kishte thënë britaniku Bell në fjalimin e tij para votimit për Kosovën.

Çfarë pas këtij fjalimi? U votua për herën e dytë dhe….. KOSOVA U PRANUA NË UEFA. Lot gëzimi kishte tek të gjithë, nga Fadil Vokrri që ishte në Budapest të Hungarisë, ku u mbajt votimi, e deri tek tifozi më i thjeshtë në Kosovë. Futbolli i Kosovës nuk ishte më i izoluar. Kishte një hero që rrallë herë përmendet. Alasdair Bell ishte emri. Britaniku ktheu mendjen e shteteve votuese.

Që nga ajo kohë, Kosova ka shënuar një rrugëtim të madh, duke u kthyer në një nga kombëtaret më atraktive në botën e futbollit. Tashmë ëndërrojmë për Euro 2020, nga një ëndërr për ndeshje zyrtare, të pranuar nga FIFA. Meritë të madhe kishin britanikët, të cilët sot po priten në mënyrën më të mirë të mundshme në Prishtinë. Kosovarët do t’iu jenë gjithmonë mirënjohës, nga z.Bell, deri tek qytetari më i thjeshtë në Angli, shkruan lajmi.net.

U cilësua si e panevojshme pritja e Kombëtares së Anglisë në aeroport, me disa lule. Por, çfarë rëndësie kanë këto lule? Kishte ushtarë britanikë që kanë rënë në luftën e Kosovës, nën misionin për çlirimin e këtij vendi. Edhe nesër pritet që stadiumi të jetë i mbuluar me trëndafila të kuqë, pikërisht në shenjë respekti për ata ushtarë që i dolën zot këtij vendi – dhe mbi të gjitha humanizmit.

Prandaj, asgjë nuk është e zmadhuar. Kosovarët po japin atë që anglezët merituan ta gjejnë këtu. Dashurinë dhe respektin. Mirëseardhjen në vendin tonë. Të ndihen të lirë, në vendin që e çliruan.

-Sponzor-