Flamuri si pasqyrë…

0

Në korrik të 2019 u pamë para se të aderonte në VV. Ishte aq i bindur në hapin që po merrte, sa dikur profi dhe tani dosti, nuk e ndante as me mua nga frika që po ia ulte vlerën. Më 19 gusht, Flamur Maloku aderoi në VV, me një pritje plot nderim nga kryetari i partisë, Albin Kurti. Ai shquante bisedat me të që, siç thoshte Albini, e vononin për takimet e radhës. I pari i partisë ia përmendi shkollimin në disa paragrafë. Publikimi i fotografisë së aderimit mori mbi 6 mijë “likes” e “loves”, 106 “share” dhe, ç’është e rëndësishmja, 229 komente. Të gjithë ishin në frymën e mikpritjes, e sidomos në përkrahje të zgjedhjes që kishte bërë Flamuri.

U takuam fill pas aderimit që, pa pikë dyshimi, ishte befasi edhe për mua. E urova dhe i pimë nga 3 çaja të rusit shoqëruar me Marlboro të zezë që e pinte prej kur e njoh. I dhash përspektivën time e cila, me shumë gjasë lehtë e kuptueshme, e ka bërë të pasigurt të më tregonte për planin para se ta realizonte. E urova, ndonëse s’pajtohesha, dhe e urreja që më duhej t’i thoja “suksese” në diçka që thellë nuk besoja. Por unë sinqerisht i doja sukses, ndonëse partia ku ai po niste rrugën politike, kishte ngjallur mosbesim të madh tek unë që prej vitesh.

Pavarësisht se humbi simpatinë e shumë miqve, kolegëve e studentëve, Flamuri vazhdoi me shumë entuziazëm. Në fakt, një të martë në mëngjes kur u takuam para 3 muajsh, e pyesja veten se ku po e gjente… Kështu vazhdoi ai për tërë këto kohë, duke sakrifikuar gjithçka e kishte përcjellur në shumë vjet.

U desh të vinte koha e fundit kur ai s’po mund të pajtohej me qasjen e partisë së tij, tani në pushtet. Bordet dhe qasja armiqësore ndaj të gjithëve, e brenin dhe ma kishte thënë, por kjo nuk e kishte zmbrapsur. Për cënimin e mendimit më kishte folur katër ose pesë herë që nga krijimi i Qeverisë. Gjithçka kulmoi, gjë që unë e konsideroj si shumë legjitime, kur këshilltari i Albin Kurtit u shpreh papërshtatshëm për UÇK-në. Flamuri që ka dy vëllezër veteranë nuk kishte si të mos jetë prej të parëve që reaguan. Do të duhej ta bënte çdokush që ka mbi supe amanetin e njerëzve që akoma vuajnë plagët.

E në vend se t’i dilnin në krah Flamurit se po mbronte plagët e vëllezërve dhe gjakun e bashkëluftëtarëve të tyre, militantët u rreshtuan kundër për hatër të shefit. Njerëzit që i kishin komentuar në postimin mirëpritës, iu kthyen me gjithë arsenalin. Ishte e trishtë të shihje njerëz që deri dje e çmonin, ta shanin e fyenin vetëm se nuk po pajtohej me Partinë. Askush nuk i kujtonte fjalët e Albinit më. As ato për takimet e gjata në kafenenë në Parkun e Qytetit e as përgatitjet që shefi i tyre i çmonte.

Së këndejmi, mendoj se Flamuri duhet të jetë pasqyra e VV-së, për të parë hipokrizinë që vishet me rrobat që i pëlqejnë shefit.

Autor: Shkumbin Kajtazi

-Sponzor-