Flora Brovina: Adem Grabovci më ka kërkuar falje disa herë

0

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Grabovci, i cili ishte protagonist i përgjimeve të publikuara në media, ka folur në ‘Frontal’ pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto e ku shumica e zyrtarëve të përfshirë i përkasin Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai u ka kërkuar falje Flora Borvinës dhe Jakup Krasniqit që ishin ndër të përmendurit në përgjimet e publikuara.

Deputetja e PDK’së, Flora Brovina ka folur për Express për këtë veprim të Grabovcit.

Ajo ka thënë se e vlerëson kërkim-faljen e tij dhe tregon se deri tash ka marrë disa herë kërkim-falje nga ish-kolegu i saj.

“E kam pritur që këtë do ta bëjë një ditë zotëri Grabovci. Më vjen mirë që e ka bërë këtë edhe publikisht. E vlerësoj shumë, edhe pse kur kanë dalë përgjimet jam ndier e ofenduar. Privatisht më ka kërkuar falje disa herë dhe me ka thënë se është ndier keq. Por, edhe atëherë e edhe tani e mendoj se Adem Grabovci se ka bërë këtë më qëllim”, ka thënë Flora Brovina për Express.

Ajo nuk ka dashur shumë të flas për aktakuzën që i është ngritur sot për aferën “Pronto”, veç se ka thënë për këtë duhet të vendos drejtësia.

“ Nuk kam çka them për ngritjen e aktakuzë. Këtu nuk mund të përzihem unë. Aty flet vetëm drejtësia”.

-Sponzor-