Fotografi nga skena e krimit, këtu u vra dhe u dogj Qerim Kelmendi

0

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi sot është gjetur i vrarë në veturën e tij në fshatin Zahaq të Pejës. Rasti ka ndodhur në rrugën “Bekim e Blerim Kelmendi”, raporton Express.

Ekipi i Gazetës Express dhe T7 po qëndrojnë në Pejë, ku sjellin fotografi nga vendi ku u vra dhe dogj Kelmendi.

Ndryshe, detaje për rastin ka dhënë Policia Rajonale e Pejës.

Përmes një komunikate për media, policia ka njoftuar se fillimisht ishte lajmëruar për një veturë të djegur, në fshatin Zahaq të Pejës.

“Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, ka bërë të ditur policia.

Policia ka sqaruar rrethanat në të cilat është gjetur i vrarë e më pas i djegur viktima.

“Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VË Passat me targa vendore”, thuhet në komunikatë.

Për rastin ka reaguar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin rastin.

“Sot me pikëllim morëm lajmin për vrasjen e bashkëluftëtarit të orëve të hershme të UÇK-së Qerim Kelmendi. Familjes dhe bashkëluftëtarëve u shprehi ngushllimet e sinqerta. I bëj thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të zbardhin rasti”, ka shkruar Haradinaj.

-Sponzor-