GJASHTË HIPOTEZA PËR PASOJAT E GODITJES SË SPECIALES

0

Milazim KRASNIQI

Bërja publike e ngritjes së aktakuzës kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga ana e prokurorit të Dhomave të Specializuara, ngre disa hipoteza lidhur me efektet dhe pasojat politike të këtij veprimi.

Hipoteza e parë: nëse kjo padi miratohet nga gjykatësi, kjo do të thotë që këtyre dy figurave të rëndësishme të jetës politike të Kosovës u imponohet largimi nga veprimtaria politike. Duke i larguar dy njerëzit e fortë që identifikohen me luftën çlirimtare dhe që kanë një elektorat të gjerë, në prag të negociatave të reja ndërmjet Kosovës e Serbisë, mund të synohet të imponohet një zgjidhje e pafavorshme për Kosovën. Pasivizimi eventual i elektoratit të PDK-së, ku bien edhe shumë nga veteranët e luftës, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, e dobëson gjithë potencialin e reagimit eventual shqiptar në Kosovë. Prandaj, mund të imponohet më lehtë çfarëdo projekti i pafavorshëm.

Hipoteza e dytë: nëse gjykatësi e refuzon padinë e ngritur nga prokurori, atëherë Hashim Thaçi e Kadri Veseli lirohen nga barra e dyshimeve që pati filluar të rëndojë mbi ta që nga raporti i Dik Martit. Në atë rast ata mund të fokusohen tërësisht në finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Të fuqizuar nga lirimi nga dyshimet, ata do të mund të merrnin përgjegjësi më të madhe edhe për ndonjë marrëveshje më ambicioze në përmasa rajonale.

Hipoteza e tretë: pas dështimit të Bashkimit Evropian që të gjejë një formulë për ta zgjidhur problemin, me dështimin e Takimit të Uashingtonit, praktikisht po dështon edhe SHBA. Në këtë situatë, përfituese do të jetë Rusia, sepse sa më shumë që të zgjatet kriza, mundësia e Rusisë për ndikim dhe penetrim në Ballkan bëhet më e madhe.

Hipoteza e katërt: dështimi i një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë e hap mundësinë e formimit të një asociacioni, ku do të akomodoheshin çështja serbe dhe çështja shqiptare paralelisht. A do të quhet miniShengen a Ballkani, kjo mbetet e hapur. Imponimi i një projekti të tillë, ku Serbia mu d të ketë rol dominant, nuk mund të bëhet pa eliminuar udhëheqësit politikë të dalë nga ushtria Çlirimtare e Kosovës, që me biografi e me karriera identifikohen me pavarësinë e Kosovës.

Hipoteza e pestë: pas fitores spektakulare të Vuçiqit në Serbi, nuk ka asnjë shans për marrëveshje, prandaj do të ruhet statu quoja. Statu quoja mund të ruhet më lehtë duke prodhuar kriza të brendshme në Kosovë, si kjo me eliminimin e figurave kyçe të politikës aktuale dhe të historisë më të re të Kosovës. Në këtë mënyrë hapet edhe mundësia e re e dominimit të Serbisë në rajon, duke përfshirë jo vetëm Kosovën po edhe Bosnjen e edhe Malin e Zi.

Hipoteza e gjashtë: nëse goditja e Gjykatës Speciale do të jetë e përmasave më të mëdha dhe nëse arrin ta inkriminojë edhe luftën e Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës, atëherë priten rirreshtime edhe në skenën politike në vendin tonë. Në atë rast mund të pritet edhe rikthimi më signifikant në skenën politike të Kosovës i mbeturinave të nostalgjikëve jugosllavë. Qysh tash ata nuk janë duke shprehur gëzimin pervers për këtë ndjekje të Speciales. (25 qershor 2020

-Sponzor-