Haradinaj ka një plan për ata që do të mbesin pa punë pas mbylljes së lojërave të fatit

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është në biseda me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale për të hartuar një program dedikuar vetëm atyre të cilëve do të mbesin pa punë si pasojë e mbylljes së lojërave të fatit.

“Jemi në kontakte me Ministrinë e Punës me e hap një program dedikuar vetëm atyre, por ende nuk kemi diçka”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai thotë se si qeveri janë të vetëdijshëm që me mbylljen e lojërave të fatit do të larohen një numër i madh i njerëzve nga vendet e tyre të punës.

“Mbyllja e këtyre bizneseve rezulton me humbje të vendeve të punës. E kemi parasysh. Por për shkak të presionit e kemi pa të arsyeshme që me e marrë një vendim të tillë”, ka shtuar ai, raporton Gazeta Express.

Ndërkohë i pyetur rreth raportit të Bankës Botërore lidhur me humbjen e vendeve të punës në Kosovë, Haradinaj ka thënë se është çështje e interpretimit të shifrave, pasi që në Kosovë ka rritje të vendeve të punës.

“Nuk ka humbje të vendeve të punës në Kosovë, ka rritje të vendeve të punës, nuk është ajo që kem qejf me e pa, por ka rritje”, ka thënë kreu i Qeverisë.

-Sponzor-