Heronjtë e paqës

0

 

Lufta përfundoi në Qershor të vitit 1999, mbrapa la shumë Dëshmorë, Martir, Invalidë dhe shumë familje me plagë të cilat edhe sot shkaktojnë dhimbje të mëdha. Shumë luftëtarë lanë familjet e tyre dhe ia dhanë besën këtij vendi se do të luftojnë deri në frymën e fundit dhe ta mbrojnë këtë vend. Atë çfarë bënë luftëtarët e lirisë në luftë nuk bëhet më. Këta ishin heronjtë e luftës dhe të tillë do të mbesin sa të shkruhet dhe të flitet shqip.
Lufta përfundoi dhe shumë nga ne mendonim që edhe koha e heronjve mbaroi, por nuk qe kështu, kishin mbetur ende shumë heronj dhe heroina që do të jepnin edhe shumë e shumë nga vetja e tyre për këtë vend.
Pas gati njëzet e një (21) vitesh qiellin e këtij vendi e mbuloi një re e zezë, re kjo që kishte mbuluar tashmë pothuajse gjithë botën, para nesh u shfaq një sëmundje që po i kanoste të gjithë dhe madje shumë sfiduese.
Duhet të qëndrojmë të gjithë nëpër shtëpitë tona na u tha, sepse profesionistët e konsideronin se kjo ndikon në parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe kishin të drejtë, madje shumë. Ne rrinim në shtëpi, nuk dilnim fare jashtë dhe kishim pranë familjet tona, fëmijët tanë na kishin pranë në këtë situatë shumë stresuese.
Mirëpo ishin disa fëmijë të cilët ndien mungesën e prindërve të tyre, kishte nëna që ndien mungesën e djemve dhe vajzave të tyre, kishte edhe prej atyre që ndien mungesën e bashkëshortëve dhe bashkëshorteve të tyre.
Ishin Mjekët, Infermierët, Policët, Ushtarët, Zjarrfikësit, ata të cilët lanë pas vetes familjet e tyre dhe gjithçka tjetër për t’i dalë në ballë kësaj të keqe që po e kanoste gjithë botën dhe veçanërisht popullin e vendit tonë të çmuar, popullin e Kosovës. Tani përball kishim një sëmundje që duhej ta luftonim dhe këtë po e bënin tashmë luftëtarët tanë, por tani jo me armë por me mantel të bardh e me kujdes ndaj të sëmurëve.
Dhe tani e kuptuam se vërtet nuk kishte përfunduar koha e heronjve dhe heroinave. Mjekët dhe Infermierët tanë tashmë janë bërë heronjtë tanë në kohë paqe.
Qofshin gjithmonë pranë nesh dhe ky vend të mos mbetet asnjëherë pa Mjekët, Infermierët, Ushtarët, Policët, Zjarrfikësit dhe gjithë ata që sot po e rrezikojnë jetën e tyre për të na mbrojtur neve.
Të rrojnë Heronjtë tanë të paqes!

Daut Zeneli
Prill 2020

-Sponzor-