Hoti për seancën e thirrur nga Qeveria: AAK e Nisma u dorëzuan përball Thaçit

0

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se seanca e thirrur nga Qeveria është dorëzim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës përball presionit të PDK-së dhe Thaçit për prishje të koalicionit dhe shantazheve të ditëve të fundit.

Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se këto dy parti tash do të luajnë lojën e Thaçit, duke nëpërkëmbur shtetin e Kosovës.

Lexoni të plotë postimin e Hotit:

“Seanca e thirrur nga Qeveria është dorëzim i AAK-së dhe Nismës përballë presionit të PDK-së dhe Thaçit për prishje të koalicionit dhe shantazheve të ditëve të fundit.

Këto dy parti tash do të luajnë lojën e z.Thaçi duke nëpërkëmbur shtetin e Kosovës. Ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve shumicë të Kosovës, do të përligj në emër të Qeverisë marrëveshjet e fshehta të z.Thaçi me Serbinë.

Shteti i Kosovës po hynë në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e shtetit të Kosovës.

Për LDK-në, sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është pa negociueshëm. LDK-ja nuk do të lejojë përdhosje të shtetit të Kosovës. LDK-ja do t’ju prij ndryshimeve që duhet të ndodhin së shpejti në Kosovë. LDK-ja nuk do të dorëzohet ndaj dhunës që po i bëhet shtetësisë së Kosovës”.

-Sponzor-