Kërkesën e Thaçit si president për dënimin e krimeve serbe, Prokuroria në Hagë e interpreton si ndërhyrje në punën e saj

0

Ish-presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, i kishte nisur një letër sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, me të cilin kishte kërkuar që të gjykoheshin edhe krimet serbe në Kosovë, por kjo letër është interpretuar si ndërhyrje në punët e Dhomave të Specializuara nga ana e Prokurorisë së Gjykatës Speciale.

Sponzor

Presidenti i Kosovës, në letrën që i kishte nisur sekretarit të shtetit amerikan, kishte shkruar se ka pasur pak progres në zbatimin e mandatit të paraparë të Dhomave të Specializuara.

Thaçi kishte shtuar se Dhomat e Specializuara nuk kanë dhënë rezultate siç është e paraparë me mandatin e përcaktuar në letrat e BE-së dhe në marrëveshjen me shtetin e Holandës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit Special të Kosovës janë institucione të brendshme që veprojnë brenda hierarkisë kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës. Është e rëndësishme që të jetë evidente se këto institucione edhe funksionojnë si të tilla dhe që kontribuojnë në objektivat e përgjithshme të reformave të institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar”.

I pari i vendit kishte thënë se mënyrat se si po veprojnë institucionet është në kundërshtim direkt me atë se çka ishte e paraparë, duke thënë se ky është një shqetësim serioz, për të cilin është i obliguar që të reagojë si president i shtetit.

“Qëllimi i themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës ka qenë që të ndërtohet një kornizë vendore ligjore dhe institucionale kredibile për t’i hetuar dhe ndjekur krimet që dyshohet të jenë kryer gjatë 1998-2000 në Kosovë. Në këtë kontekst ka qenë e paraparë që krimet që dyshohet të jenë kryer në të dy anët e konfliktit do të hetoheshin plotësisht dhe në mënyrë të duhur”.

Ai kishte thënë se është zhgënjyese që zyra e prokurorit special ka dedikuar burimet e veta për të hetuar vetëm një grup etnik, pra vetëm shqiptarët e Kosovës, duke thënë se kjo e dëmton kredibilitetin e procesit.

“Është e papranueshme që personat emrat e të cilëve janë përmendur në raporte publike, sic është ai i senatorit zviceran Dick Marty, i publikuar në vitin 2010, i janë nënshtruar për gati 10 vite kërcënimeve se do të hetohen dhe potencialisht të gjykohen.”

Ai kishte kritikuar, duke thënë se ka raporte të besueshme që pohojnë se kornizat statutore dhe procedurale të Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk janë në përputhje me standardet e njohura ndërkombtarisht për gjykim dhe trajtim të drejtë.

-Sponzor-