Megjithatë vjen lajmi fantastik për Kosovën

0

Dy humbje radhazi në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2020 nuk mund t’ia zbehin Kosovës një fushatë të mrekullueshme debutuese, por fatkeqësisht bënë që ekipi kombëtar më i ri në Evropë të dështojë ta sigurojë pjesëmarrjen në garën e verës përmes rrugës tradicionale. Ama ëndrra, megjithatë, vazhdon.

Kosova mund ta ketë mbyllur fushatën me një humbje të thellë 4:0 në shtëpi ndaj një gjiganti si Anglia, por rezultati përfundimtar nuk ishte ai që la përshtypje të dielën. Mikpritja dhe organizimi morën vëmendjen kryesore, përfshirë edhe në vendin ku lindi futbolli, i cili u largua nga Prishtina i mahnitur nga kosovarët, shkruan Gazeta Express.

Sponzor

Mediat, tifozët dhe lojtarët anglezë mbeten të habitur nga mikpritja e mrekullueshme që iu ofrua në vendin të cilit para rreth dy dekadave i ndihmuan të çlirohet nga okupimi.

Kosova u mor si shembull se si duhet trajtuar një ekipi vizitor në futboll, për dallim nga vendet e tjera, përfshirë ai fqinj Mali i Zi, ku futbolli u prish nga racizmi subjet i të cilit ishin lojtarët anglezë, përfshirë Raheem Sterling.

Verdhekaltrit të udhëhequr nga trajneri zviceran, Bernard Challandes, ishin vazhdimisht në garë për t’u kualifikuar deri në përballjen e parafundit më Republikën e Çekisë, por humbja 2:1 në Plzen ua shoi përfundimisht ëndrrën për kualifikim në Kampionatin Evropian përmes rrugës tradicionale për herë të parë në historinë e re të ekipit kombëtar.

Kosova e mbylli Grupin A në pozitën e 3-të, me 3 fitore, 2 barazim dhe 3 humbje në 8 ndeshje. Ndërsa Anglia si fituese e grupit dhe Çekia si e dyta u kualifikuan direkt në Euro 2020.

Por çfarë tani për Kosovën?

Dështimi në kualifikime nuk nënkupton se ëndrra për pjesëmarrje në Euro 2020 ka marrë fund përfundimisht, sepse Kosova ka edhe një mundësi të dytë. Ajo do t’i zhvillojë dy ndeshje në maksimum në muajin mars për ta arritur synimin.

Si fituese e Grupit 3 në Ligën D të garës inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve, Kombëtarja dardane e siguroi një vend në play-off bashkë me Maqedoninë Veriore, Bjellorusinë dhe Gjeorgjinë, si fituese të grupeve të tjera në ligën më të ulët në këtë garë.

Kosova do të përballet me Maqedoninë Veriore në gjysmëfinalen me një ndeshje, e cila zhvillohet më 26/03/2020 në shtetin fqinj.

Gjysmëfinalja e dytë mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë do të zhvillohet në të njëjtën ditë.

Kombëtaret me koeficient më të lartë gëzojnë të drejtën për të qenë vendase në ndeshjet gjysmëfinale. Në këtë rast, Maqedonia Veriore dhe Bjellorusia.

Finalja mes fitueseve të gjysmëfinaleve do të luhet më 31/03/2020. Vendi ku do të zhvillohet ajo do të përcaktohet paraprakisht, më short më 22 nëntor 2019.

Euro 2020 nis më 12 qershor dhe përfundon më 12 korrik.

-Sponzor-