Kqyruni more n’pasqyrë dhe kthjelluni o njerëz, nuk jemi në Vitin 1989!

0

Kërcënohen edhe deputetët, kryekuvendarja hesht! Kosova është shteti ynë për të cilin u derdh edhe gjaku.

Shkruan: Jusuf BYTYÇI

Gjendja aktuale e torturimit psiqik e psikologjik, si pasojë e kësaj “gjysmë qeverisje”, me vendime, kërcënime dhe veprime arbitrare, në emër të kinse mbrojtjes nga Covid-19, kujton masat e jashtëzakonshme të Serbo-Jugosllavisë në vitet e okupimit të Kosovës! Klima e tillë që po mbretëron në Kosovë, sidomos pas mocionit të rrëzimit të Qeverisë LVV-LDK, jo vetëm pse kjo “gjysmë qeverisje” po shkarkon borde arbitrarisht apo po i emëron bordet tjera me simpatizantë apo militantë të LVV-së, por për faktin më të rëndë të tendencës së kapjes së policisë, respektivisht shndërrimit të saj në aparat partiak të njëfar “ministri” famëkeq të MPBAP. Tashmë duket qartë se ky Xhelali, s’paska shkuar rastësisht në këtë Ministri, ai po paraqitet pothuajse mbret, edhe më diktator sesa diktatorët e sistemit komunist të së kaluarës së hidhur! Diktati i tij, falë vendimeve kundërkushtetuese të kësaj gjysmë qeverie Kurti, në emër të kinse masave luftuese a parandaluese kundër pandemisë Covid-19, dita më ditë, në Kosovën e Lirë, qe pothuaj 21 vite, në Kosovën e Pavarur qe 12 vite, në Kosovën e shekullit 21, po ngjan në kohën e okupimit të Kosovës, nga Serbo-Jugosllavia më 1989 e deri në çlirimin tonë! Shpërdorimi i detyrës, kërcënimet dhe gatishmëria për veprim arbitrar edhe kundër deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dëshmojnë më së miri vendimet arbitrare të gjysmë ministrit famëkeq të Punëve të Brendshme!

Edhe para nisjes së Pacollit për Tiranë e Kosovë, Xhelali kërcënoi, e paraprakisht kërcënoi doktor Arbeni, ministri në detyrë i MSH-së, se pavarësisht nga pozita apo imuniteti, duhet të futet në karantinë dy javë në Qendrën e Studentëve! Xhelal Sfeçla, nuk u ndal edhe pas “rojes e gjuetisë” dy ditëshe për t’a zënë B. Pacollin, ai e kërcënoi deputetin edhe të premten në mesnatë në TV interaktivin e KTV-së së Surroit, argatit të kësaj gjysmë qeverie! Sfeçla mbrëmë ka kërcënuar Pacollin edhe me arrestim. B. Pacolli, deputet dhe njëherësh kryetar i AKR-së, ish-president, ministër i jashtëm dhe zëvendëskryeministër i parë, derisa ia dorëzoi detyrën kryeministrit të sotëm Albin Kurtit, natyrisht reagoi dhe ka të drejtë të reagojë! Duke e ndjerë veten të fyer, të poshtëuar dhe të frikësuar nga kërcënimet serioze, Pacolli e quan Kurtin populist, “ka pas vetes një ushtri adoleshtentësh, me probleme familjare, të ndarë nga prindërit, i ka tërhequr në rrugë dhe i shfrytëzon në funksion të ideologjisë së tij”! Sikurse qytetarët, edhe personalitetet e jetës publike, politike, që reagojnë për klimën e tensionuar, të terrorizmit psiqik dhe psikologjik, edhe Pacolli merr shembull nivelin e gjuhës së përdorur nga militantët e VV-së në rrjetet sociale ndaj çdokujt që kritikon Kurtin. Gjuha e tyre është fyese e paedukatë dhe kërcënuese! Janë njerëz të pashkolluar, të paedukuar dhe njerëz me probleme psiqike, këta janë milantët e VV”, ka thënë B. Pacolli në medie.

Për habi, karshi kësaj gjendje, gjithë atmosferës së presioneve dhe kërcënimeve ndaj deputetit Pacolli, asnjë fjalë nga kryekuvendarja Vjosa Osmani-Sadriu! Ajo ndonëse është një profesioniste e shquar e çështjeve juridike, hesht edhe kur ia kërcënojnë deputetët, madje nga një mjek stomatolog apo…,që fatkeqësisht është një gjysmë ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sfeçla, nuk pyet nëse për arrestimet vendos Prokuroria apo Policia! Fatkeqësisht, këtë belaxhi sot për sot e kemi, “mbret” krahas “liderit suprem” të kësaj gjysmë qeverie! Unë për vete nuk ia kam frikën, por pse vallë t’i frikësohen gazetarët tjerë, analistët, opinionistët, profesorët apo edhe deputetët?!
Në vazhdën e gjendjes së tillë të rënduar, sikur të kishte Kosova gjendje të jashtëzakonshme nga një shtet i huaj, manifestohen edhe kërcënimet tjera, qoftë në rrjete sociale apo në medie të iks zyrtarëve të LVV-së, edhe brenda kësaj gjysmë qeverie Kurti! Ndonjëri nga ministrat në detyrë, përkrahës të shefit të tyre, ndonëse profesor universitar i Drejtësisë, Blerim Reka, ngazëllehet nga vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, madje nuk e dallon fare vendimin për Masën e Përkohshme me vendimin final të Gjykatës Kushtetuese, pas ankimimit të LVV-së për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër nga presidenti Thaçi!
Po këtë ditë, zyrtari i LVV-së, Blerim Sallahu, shef i kabinetit të ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po për masën e Kushtetueses, ka reaguar se “Presidenca si sistem do të organizojë makineri shantazhi kundrejt Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit për mandatarin”.

Sipas tij, “pezullimi i dekretit deri më 29 maj, është beteja e parë e fituar, por lufta e shantazheve mbi Gjykatën Kushtetuese do të fillojë sot”. Subjektet që pretendojnë të marrin mandatin qeverisës nga shumica parlamentare, Sallahu i konsideron kapës të shtetit. Ai vlerëson se “Presidenti si sistem (jo si individ) ka makineri të shantazhit dhe të presionit dhe kërcënon se “për asnjë çmim, dhe nga askush nuk do të ndalen nga rruga e drejtë”!

Presioni ka dimensione të gjera, ai po manifestohet nga forma të ndryshime, edhe përmes lajmeve të rrejshme, me tituj bombastikë të çoroditura në portale, B. Sot, K. Sot, etj., që të kujtonte masat e hidhura të dhunshme të Serbisë okupatore në gazetën “Rilindja” dhe RTP, me krijimin e territ informativ më 1990. Por për lajme senzacionale si lloj i presionit psiqik të njerëzve, të premten u dalluan edhe disa avokatë të njohur, Tomë Gashi e Arianit Koci, profesor Vigan Qorrolli, por edhe ndonjë analist, opinionist militant i kësaj gjysmë qeverie, duke e prejudikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që në mëngjes. Ky ësht presion i hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese, presion psiqik ndaj qytetarëve, se Gjykata vendosi në favor të LVV-së!

Por presioni kryesor ndaj Gjykatës Kushtetuese, krahas vendimeve tjera kundërkushtetuese dhe antiligjore, kjo gjysmë qeverie Kurti, po manifeston ndaj Gjykatës Kushtetuese, për aktgjykimet e saja të deritashme dhe për vendimet që duhet t’i sjellin në vazhdim! Kjo është vërtet diktaturë e tipit komunist të një regjimi që s’do të donim të kthehej kurrë më! Që duken të pa përvojë në qeverisje është e qartë, por që nuk dinë dhe zbulojnë edhe “Organizma” tjerë të interpretimit të një dekreti të presidentit të Kosovës, si Komisionin e Venedikut, kjo sipas ekspertëve më të thjeshtë juridikë, konsiderohet si veprim qesharak! Pra, duket nonses, pasi, A. Kurti, paragjykon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nisë përgatitjen e terrenit për mospranimin e tij përmes një organi ndërkombëtar, që nuk ka kurrfarë autoriteti mbi Gjykatën Kushtetuese!

Pacolli dhe autoritetet e subjekteve tjera politike jashtë Qeverisë, ndërkohë kanë deklaruar se, e kanë mbështetur dhe mbështesin çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo! Për Shtet të mirëfilltë ku respektohet rendi, ligji, institucionet, pra edhe Gjykata Kushtetuese, luftuam si popull, prandaj, sa më larg atyre që nëpërkëmbin shtetin! Kqyruni more n’pasqyrë dhe kthjelluni o njerëz, nuk jemi në Vitin 1989! Kosova është shteti ynë për të cilin u derdh edhe gjaku. Kosova nuk është arenë apo terren i përplasjeve kush është më i ashpër, orator, trim, frikacak, patriot apo tradhëtar! F.booku nuk e ka shliruar Kosovën, për të ndarë drejtësi apo për të marrë vota më shumë si makineri e largësisë!

-Sponzor-