KUSH NA I PRAPTON KERRET NË TAH TË RRAFSHIT?

0

Milazim KRASNIQI

“Kur praptohet kerri, udhë gjinen sa të duesh!”, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Meqë historia jonë shqiptare ka lëvizur më të shumtën si qerre e thyer dhe shpesh herë është praptuar, duhet të ketë vërtetësi në këtë fjalë që e shprehë një përvojë të atillë. Prandaj edhe kriza e Kosovës, me mosnjohje të shtetit nga OKB, nga BE, nga OSBE e as nga NATO, me izolim total ndërkombëtar, me ndjekje nga prokurori special për disa nga drejtuesit e UÇK-së dhe të shtetit e të politikës aktuale, me konflikte të egra të partive politike, me dëshpërim popullor e me dobësim të kombit shqiptar si faktor rajonal, mund të shpjegohen me përvojën e kësaj fjale të urtë. Faktikisht, qerrja na është praptuar.

Ne na mbtet të shohim jo vetëm a ka pasur rrugë të tjera, për të mos ardhë në këtë gjendje, por edhe se a ka rrugë që të dilet prej saj. Vërtet, tash mund të kuptojmë se ka pasur rrugë të tjera për të lëvizur pa u bllokuar kështu. Cilat kanë qenë ato rrugë?
E para, lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është dashtë të futej me kohë nën ombrellën e institucioneve shtetërore të asaj kohe. Po qe se do të bëhej unifikimi i forcave ushtarake e politike me kohë, lufta do të udhëhiqej nga institucionet shtetërore, me çka ajo luftë do ta kishte një ombrellë korrektuese e edhe mbrojtëse gjatë luftës po më së shumti pas përfundimit të saj. Është e sigurtë se ndryshe vlerësohet lufta e një lëvizjeje guerile e ndryshe lufta e një ushtrie të udhëhequr nga institucionet shtetërore demokratike. Dyshimet dhe atakimet ndaj të parës janë më të mëdha e më të lehta, sikundër po shihet tash njëzet vjet edhe në rastin e dyshimeve dhe atakimeve ndaj UÇK-së, e cila de jure nuk ka një ombrellë shtetërore mbi vete që të mbrohet sot me të.

E dyta, po qe se do të formohej një qeveri e përbashkët para Konferencës së Rambujesë, ajo do të mund të kishte ndikim mbi vetë konferencën po edhe mbi termat e rezolutës 1244 të KS të OKB-së, për më shumë qartësi mbi të ardhmen e Kosovës. Një qeveri e tillë do të menaxhonte me më shumë sukses procesin e demilitarizizmit dhe do të minimizonte keqpërdorimet dhe krimet që ndodhën pas çlirimit dhe veçmas pas demilitarizizmit.
E treta, institucionet e Kosovës është dashur të gjejnë mundësi, nëpërmjet ndonjë shteti të tretë, fjala vjen Shqipërisë, që të ngrisin padi për krimin e gjenocidit kundër Serbinë. E ka përmendur ndokush si çështje elektorale, pa bërë asgjë konkretisht për dymbëdhjetë vjet, nga proklamimi i pavarësisë.
E katërta, lufta politike pas çlirimit nuk do të duhej të bëhej ashtu si u bë, e ashpër dhe e dhunshme, me çka filloi dëmtimi i imazhit të popullit të Kosovës. Ne mund të kemi harruar, por ata që kanë monitoruar, kanë mbajtur shënim dhe kanë raportuar. Fatura na erdhi më vonë, me bllokim e izolim, së fundim edhe me tentim për inkriminim.

E pesta, elementet e hakmarrjes ndaj civilëve serbë dhe uzurpimet e pronave të tyre, kanë qenë akte të shëmtuara, që u kanë dhënë pretekst Serbisë dhe aleatëve të saj që të ngrisin dyshime për aftësinë shtetndërtuese të shqiptarëve të Kosovës. Dhe u kanë dhënë motiv që të faktorizohen nëpërmjet organizimit paralel, deri në atë masë sa tashmë veriun e kanë ndarë.

E gjashta, hyxhymi për pasurim të shfrenuar të politikanëve dhe oligarkëve, me anën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ka hutuar dhe dëshpëruar edhe miqtë e Kosovës, deri në atë masë sa thjesht kanë rrudhë krahët. Dhe e kanë lëshuar punën ujit teposhtë, që ta pastrojë disi rrjedha.

Pra, këto janë disa rrugët e gabueshme, që na kanë sjellë këtu ku jemi, praktikisht si një qerre e praptuar në tah të rrafshit. Shtrohet pyetja themelore: a ka pasur rrugë të tjera, pë të mos ardhë këtu ku jemi? E vëreta është se ka pasur rrugë të tjera me të cilat do të mbërrihej në cak pa u dëmtuar as njerëzit, as shoqëria, as shteti, as aleatët. Disa nga mundësitë që u skicuan më herët, janë ditur me kohë dhe janë propozuar me kohë. Ata që kanë kujtesë (në këtë vend ka pak të tillë) e dinë që me kohë ka pasur ide, propozime, angazhime dhe përpjekje lidhur me rrugët më të mira që do të duhej të ndiqeshin. Por, janë injoruar e refuzuar.
Në mënyrën më modeste po e përmend që kam qenë njëri prej atyre njerëzve që janë angazhuar për bashkërendim e unifikim të faktorëve ushtarakë e politikë, nën ombrellën e institucioneve shtetërore, për formimin e qeverisë së përbashkët, për luftimin e dhunës politike e etnike, për luftimin e krimit elektoral dhe të korrupsionit. Janë të shkruara e zeza në të bardhë. Por, të gjitha ato ide, propozime, angazhime dhe përpjekje janë injoruar e refuzuar në mënyrë kategorike.
Nuk jam i lumtur që kam pasur të drejtë në ato që kam thënë, shkruar e vepruar me kohë, që nga viti 1998 e deri sot. As nuk po i evokoj për të pasur ndonjë satikaksion, sepse tash nuk më duhet bash kurrgjë.

Po i evokoj për të sinjalizuar një gjë konkrete për gjendjen ku jemi: nëse nuk mblidhet mendja, mund të bëhet dhe më keq. Se si mund të mblidhet mendja, e kam shpjeguar në shumë raste. Madje edhe këto ditë. Nëse nuk mblidhet mendja, mund të na përsëritet përvoja tragjike shqiptare me Pashallëkun e Janinës: pra, mund të na ndodhë një fund tragjik, pasojat e të cilit nuk mund të sanohen as për një shekull. Ne sot zbulojmë kot rrugët që do të mund të ndiqte Ali Pashë Tepelena, që të formonte një shtet shqiptar. (27 qershor 2020

-Sponzor-