Lajmi i fundit: Arifi dhe Uruqi ishin shokë, vrasja ndodhi aksidentalisht

0

Fatlind Arifi, është 22 vjeçari i cili humbi jetën mbrëmjen e vonë të së shtunës pasi u qëllua për vdekje me armë zjarri.

Për aktin e vrasjes së tij në mëngjesin e sotëm u arrestua i dyshuari kryesor 26 vjeçari, Liridon Uruqi për të cilin thuhet se ishte shok i ngushtë i të ndjerit, njofton Klan Kosova.

Krahas arrestimeve, burime të klankosova.tv nga familjarët e të dyshuarit kryesor, bëjnë të ditur se vrasja e të riut 22 vjeçar ndodhi aksidentalisht, pasi që të dy Arifi dhe Uruqi kishin raporte të mira dhe ishin miq të mirë.

”Ata ishin duke qëndruar pranë një lapidari në një takim me shokë të tjerë – rastësisht revolja i ka shpëtuar në tokë Liridon Uruqit kurse aksidentalisht është shkrepur duke qëlluar në gjoks të Fatlind Arifit”, ka thënë një pjesëtar i familjes Uruqi, njofton Klan Kosova.

Më tej familjarët kanë deklaruar se ishte vet Liridon Uruqi ai i cili pas plagosjes aksidentale në gjoks të mikut të tij Fatlind Arifit, e dërgoi atë për trajtim të mëtejshëm në emergjencë të Gjilanit.

Të njëjtat deklarime kanë dhënë për Klan Kosovën edhe banarët e fshatit Bresalc.

Lajmi pritet të përditësohet, për detaje të tjera rreth këtij rasti mund të ndiqni storjen e përgatitur në Lajmet e orës 20:00 në televizionin e Klan Kosovës.

-Sponzor-