LAJMI I FUNDIT: PDK-ja ndahet në dysh

0

Kishte filluar ta fliste fshehurazi. Për javë të tëra, madje as nuk po prononcohej. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po përgatiste terrenin për plasimin e një ideje për zgjidhjen e problemit me Serbinë.

Shkëmbimi i territoreve, ishte ideja që tashmë presidenti, Thaçi po e cilëson si zgjidhje të problemit historik Kosovë- Serbi.

Por, kjo ide që para më shumë se 6 viteve kundërshtohej edhe nga vet ai, po kundërshtohet edhe nga spektri politik në Kosovë. Fillimisht, ai kundërshtohej edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ani pse së fundi kanë filluar t’i zmbrapsin qëndrimet e tyre për këtë çështje.

“Ndryshimi i kufijve do të hapte “Kutinë e Pandorës” dhe do të prodhonte sërish konflikte dhe luftëra në Ballkan”, thoshte Thaçi më 2012.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, ai po vazhdon ta proklamojë qëndrimin e tij për territoret.

Gjatë ditës së djeshme ai nga Uashingtoni i SHBA-së “evoluoi” idenë e tij. Nga aty përdori një term të ri. “Korrigjim i lehtë i kufijve’, që duhet të përfshihet brenda marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë. Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, tha ai.

Mirëpo, ngjashëm sikurse ndau edhe qëndrimet në opinionin publik, së fundmi qëndrime kundër ish-shefit të tij po kanë edhe nga partia më e madhe në ekzekutivit, PDK.

Për këtë, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili për KTV-në ka thënë se kufijtë e Kosovës janë këta që janë, dhe se partia e tij do të dalë edhe kundër idesë së presidentit, Hashim Thaçi nëse tentohet ndryshimi i tyre.

“Nuk e di se çfarë nënkupton me demarkim, natyrisht se ne duhet të kemi edhe Serbinë, por jo ndryshim të kufijve. Kufijtë e Kosovës janë këta që janë dhe ata nuk preken. Ne dalim kundër idesë, jo kundër presidentit Thaçi. Për neve me rëndësi është territori i Kosovës, derisa nuk kemi një dokument që thotë ndryshe, por nëse e kemi atëherë dalim dhe themi se jemi kundër.

Vijat e kuqe janë kufiri i Kosovës, dhe këtë e kemi thënë edhe përmes platformës. Kemi dorëzuar të parët këtë dokument. Qëndrimi jonë është i qartë, kemi pasur një dokument. Përkundrazi kemi pasur një hezitim nga partitë e tjera politike me këtë rast”, është shprehur ai.

Por, kundër kësaj ideje nuk është vetëm nënkryetari i PDK-së. Së fundmi, kundër kësaj ideje ka dalë edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Elmi Reçica që njëherësh është edhe deputet i partisë së, Kadri Veselit.

Ai, idenë e shkëmbimit të territoreve po e quan të pa pranueshme dhe se një ide e tillë, thotë ai, është e dëmshme për vendin.

“Tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme. Dialogu kufirin e ka kur Kosova e njeh Serbinë dhe kur Serbia e njeh Kosovën. Nuk e di kush ka dëshirë të takohet më Vuçiqin, porse dialogu është një obligim. 100 vjet kemi luftuar me Serbinë dhe tash është arritur liria”, ka thënë Reçica për rtv Dukagjini.

Kundër kësaj ideje ka dalë edhe nënkryetari tjetër i PDK-së, Xhavit Haliti. Ai në një intervistë për Gazetën Blic ka thënë se nëse dikush tenton të bëjë pazare me territorin e Kosovës, do të ishte gabim fatal.

“Nëse Kosova bën pazare në kundërshtim me gjithë këta faktor qe e garantojnë Pavarësinë e sajë do ishte gabim fatal. Pavarësinë e kufijtë e Kosovës ushtarakisht i garanton NATO, politikisht të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë me kufijtë aktual”, ka deklaruar ai për Gazetën Blic.

Por, dikush nga partia e Kadri Veselit po i del në mbrojtje ish-shefit të tyre. Është deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku ajo e cila po përkrahë idenë e presidentit Thaçi për shkëmbim të territoreve.

Ajo duke u deklaruar për fatin e Luginës së Preshevës në pyetjen e një qytetari në platformën “Vota Ime” të Institutit Demokratik të Kosovës ka thënë se “Lugina shpejt do të ndjejë dorën e shtetit si bashkëkombës!”

Ndërsa, për idenë e Thaçit ajo është shprehur shumë shkurt. Ajo gjatë ditës për kallxo.com ka thënë se e përkrah idenë e presidentit, Hashim Thaçi për mënyrën se si ai e sqaron.

“Nëse ka me qenë si kusht kjo që mundemi me arrit një marrëveshje të paqes, sigurisht që do e mbështes pas asnjë dilemë. Shumë më me dëshirë e kam me i pas bashkatdhetarët afër, sesa Leposaviqin dhe Zveçanin. Kjo është shumë e qartë”, është shprehur ajo.

Por, për këtë edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga PDK, Hajredin Kuçi konsideron që ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë është ‘bukur tronditëse’.

Kështu ka thënë ai në një intervistë për Gazetën Blic, aty ku ka shtuar se Presidenti duhet të jetë më i drejtpërdrejtë rreth idesë së tij.

“Mendoj që e para, ideja është bukur tronditëse dhe një prej pikave kryesore që do të ishte, kushdo që do ta thoshte këtë ide, do ta shqetësonte me të drejtë opinionin publik. E dyta, ideja nuk është elaboruar sa duhet, dhe po ashtu do ta them që Presidenti me politikën e tij nëntëmbëdhjetëvjeçare aktive, me angazhimin e tij si Kryeministër, si ish kryetar i një partie e tani si President ka bërë edhe kundërshtar politik, që është e natyrshme, sikur ai, unë dhe të tjerët të cilët e mohojnë idenë edhe nga plani i tij personal, nga frika që mund të ketë ndonjë suksese, ose e kundërta”, ka thënë Kuçi për Gazetën Blic.

Ndryshe, deri më tani kundër kësaj ideje, përveç opozitës, ka dalë edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i cili ka deklaruar se është kundër korrigjimit dhe shkëmbimit të territoreve edhe pse ka shtuar se nuk do të heqin dorë nga qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë shqiptarë dhe ne nuk heqim dorë nga ata. Por nuk kemi pretendime as për shkëmbime territoresh, as për korrigjim por për shqiptarët tonë kemi pretendime”, ka thënë ai./Gazeta Blic/

-Sponzor-