LDK-ja merr vendim të papritur, kërkon urgjentisht heqjen e taksës ndaj Serbisë

0

Lidhja Demokratike e Kosovës e vetme po radhitet krahas ndërkombëtarëve sa i përket qëndrimit që kanë për taksën e vendosur nga Qeveria për produktet serbe e boshnjake. Këta të fundit, po thonë se në asnjë mënyrë nuk duhet të prishen marrëdhëniet me SHBA’në edhe nëse kjo do të thotë që kjo masë të hiqet, e vendimin e kanë quajtur populist. Ndërkaq, për herë të parë Lëvizja Vetëvendosje, ka përputhur qëndrimet me pushtetin, shkruan Gazeta Express
Taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe e boshnjake u pa si masa e parë që do të përçonte mesazhin e duhur se Kosova dhe Serbia janë në një fazë në të cilën duhet të gjendet një zgjidhje, për t’i ikur acarimit të marrëdhënieve.

100 përqindëshi që mori kritika të mëdha nga ndërkombëtarët që kërkuan që masa të hiqet, ka në tabor të njëjtë me ta edhe partinë më të madhe opozitare në vend, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sponzor

Nga marrja e këtij vendimi nga kjo parti dolën me qëndrime kundër, ndërkaq i pari i LDK’së,Isa Mustafa, madje e quajti vendimin e qeverisë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, populist.

Në anën tjetër, deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj në emisionin Pressing në T7 e lidhi masën me raportet e Amerikës, që sipas tij duke të ketë kujdes të mos vihen në pikëpyetje.

“Ne nuk guxojmë të vejmë në pikëpyetje raportet e Kosovës me SHBA. Refuzimi i vizës ndaj kryeministrit tregon shumë. Po ashtu deklaratat e SHBA’së karshi qeverisë për taksën, tregojnë se SHBA ka filluar të ndryshojë qëndrim ndaj neve”, tha Selmanaj në Pressing.

Një kundërpërgjigje për këtë patën nga partia e kryeministrit. Ardian Gjini, nënkryetari i AAK’së, ftoi LDK’në që për heqje të seancës të thërras seancë të jashtëzakonshme.

“E ftoj Driton Selmanajn dhe LDK ta thërrasin Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Nëse po ia shohim sherrin taksës, sipas tyre, le ta thërrasin seancën, dhe ta shpëtojnë Kosovën”, ka thënë ai.

Por, këto deklarata të partisë së Isa Mustafës po mbesin vetëm qëndrime në ajër, pasi që taksa nuk do të kundërshtohet edhe në praktikë.

Nga LDK, zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa i ka thënë Expressit se “Nuk formësojnë qëndrime të partisë për secilën deklaratë”, duke mos u përgjigjur nëse e kanë menduar të mbledhin nënshkrimet për seancë apo jo.

Kjo heshtje nga LDK siç duket po ndodh sepse në këtë temë kanë mbetur të vetëm në qëndrime.

Përkrahje nuk po kanë për kundërshtim të taksës as nga Lëvizja Vetëvendosje, ani pse së fundmi janë parë në shumë paraqitje së bashku, e në tema të ndryshme kanë pasur qëndrimet të njëjta.

Kjo pasi që për herë të parë, partia e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, po del pro një vendimi të pozitës.

Duke folur për Express, deputeti i VV’së, Xhelal Sveçla ka thënë se taksa është njëra ndër punët e pakta të mira që ka bërë kjo qeveri.

“Vendosja e taksës është njëra nga punët e rralla të mira që ka bërë kjo Qeveri. Ne besojmë se me Serbinë duhet të ketë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtarë. Reciprociteti duhet të jetë parimi dhe jo revanshimi ad-hoc dhe i pa plan. Është i natyrshëm ky presion ndërkombëtarë kur kemi parasysh presidentin i cili kokë në vete vrapon për pazare me Vuçiqin dhe vendos gjithçka në tavolinë dhe kur kemi po ashtu parasysh një ekip negociator që i bënë amnisti” presidentit në aventurën e tij. Pra, jo serioziteti i institucioneve të Republikës së Kosovës ka për pasojë cenueshmërinë e lehtë përmes presioneve siç është edhe rasti i taksës”, deklaroi deputeti i VV’së, duke përmendur edhe kundërshtimet që ishin bërë edhe për formim të ushtrisë.

“Mos të harrojmë se edhe në rastin e Ushtrisë së Kosovës kishim fillimisht kundërshtime të mëdha, por që më pas me vendosmëri u tejkalua gjithçka. Megjithatë taksa ndaj Serbisë më shumë po sulmohet nga brenda koalicionit sesa nga bashkësia ndërkombëtare. Pra taksa aktuale megjithëse e pamjaftueshme duhet të vazhdojë të jetë në fuqi dhe aq me pak të vihet nëpër diskutime të hiqet apo jo.

Për taksën prej 100 për qind që është vendosur për produktet serbe e boshnjake, përveç presionit ndërkombëtar, pati edhe diskutime se cili nga politikanët kosovarë e kishte dhënë i pari këtë ide.

Të martën, me ftesë të kryeparlamentarit Kadri Veseli u takuan edhe ambasadori amerikan dhe kryeministri i Kosovës, por, që ky i fundit pas këtij takimi deklaroi se taksa nuk hiqet, pa njohje të shtetit nga Serbia./Express

-Sponzor-