Lokalet ‘muzikë live’ dhe qendrat e masazheve, relaks apo prostitucion?

0
Arrestimet e as aksionet e policisë nuk po arrijnë t’i mbushin mend personat që merren me prostitucion. Pavarësisht luftimit të kësaj dukurie nga ana e policisë së Kosovës dhe organeve tjera të drejtësisë, prostitucioni po vazhdon të lulëzojë.

Lokalet e natës të ashtuquajtura ‘muzikë live’ dhe sallonet e masazheve në Kosovë janë te dyshimta për punën që bëjnë, shkruan lajmi.net.

Për të hapur një biznes të tillë në vendin tonë është shumë e lehtë pasi që pronarët nuk e kanë problem të marrin licencën në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë e që nuk e ka të vendosur asnjë kriter.

Sponzor

Madje, edhe në aspektin profesional këto biznese vazhdojnë të mos monitorohen.

Nën dyshimet për marrjen me prostitucion, policia e Kosovës në një përgjigje për lajmi.net ka bërë të ditur se gjatë vitit 2017 deri në shtator të këtij viti ka arrestuar 56 persona.

Tutje, policia ka shtuar se në këto lokale kanë hasur në persona të cilët nuk janë deklaruar si punëtorë në institucionet kompetente.

“Gjatë implementimit të operacioneve hetimore janë hasur persona duke punuar që nuk janë deklaruar në institucionet kompetente me të cilët janë marrë inspektoratet përkatëse (Inspektorati i punës dhe ATK-ja)”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndërkohë që një numër i konsiderueshëm qytetarëve i frekuenton këto vende, ka të tjerë që bëjnë ankesa. Ankesat e atyre që kanë dyshuar për ushtrim të prostitucionit në lokale ‘muzikë live’ dhe sallone masazhi kanë bërë policinë e Kosovës që të ndërmarrë aksione në pika të caktuara.

“Policia e Kosovës ka trajtuar disa raste që gjatë ushtrimit të biznesit si sallone masazhi/muzika live, janë kryer edhe veprimtari tjera të dyshuara qofshin ato të prostitucionit, mundësimit në prostitucion apo edhe te  trafikimit me njerëz. Qasja në trajtimin e këtyre rasteve është bërë bazuar në ankesat e qytetarëve por edhe sipas informacioneve që kanë ardhur nga tereni dhe veprimeve tona operative-hetimore gjithnjë ne bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit”, ka thënë zyra për informim në policinë e Kosovës.

Autoritetin për t’i mbyllur këto lokale e gëzojnë me ligj Administrata Tatimore e Kosovës, Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë, Inspektorati i Punës dhe Inspektorati Komunal.

Më poshtë gjeni kontaket e policisë së Kosovës për paraqitjen e rasteve ku dyshoni për trafikim;

192  ose 0800 11 112  dhe  antitrafikimi@kosovopolice.com  /Lajmi.net/

-Sponzor-