Lushtaku: Qeveria ta trajtojë me seriozitet çështjen e pandemisë

0

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka shprehur ngushëllimet për familjarët e të vdekurve nga koronavirusi .Ai poashtu tha se është duke i përcjellur me shqetësim zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar, pas përhapjes së virusit Covid-19 në Kosovë.

Ai tha se qeveria e Kosovës, nuk e ka trajtuar seriozisht komunën e Malishevës, e cila është më e prekura nga ky virus.

Lushtaku deklaroi se as kryeministri i shkarkuar, Kurti dhe as ministri në detyrë i shendetësisë, nuk kanë shkuar as ta vizitojnë këtë komunë, për shkak të inatëve politike dhe është e papranueshme se si qytetarët e kësaj komune, ofendohen nga militantët e partive në pushtet.

Apeli i Lushtakut është që të gjitha komunat duhet të trajtohen barabart, mirëpo aty ku rastet janë më të mëdha, nevojitet një vëmendje më e theksuar, Lushtaku tha se Malisheva ka qenë vatër e UÇK-së, gjatë luftës, ndërsa sot meriton përkushtim dhe ndihmë më të madhe.

Postimi i plotë:

Mergim Lushtaku

Ngushëllime familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi Covid-19!

Me shqetësim jam duke i përcjellur zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar pas përhapjes së virusit Covid-19 në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk e ka trajtuar seriozisht Komunën e Malishevës si epiqendra e këtij virusi në Kosovë. Nga rreth 170 të infektuar me Covid-19 në Kosovë, 62 prej tyre janë nga Komuna e Malishevës.

Përkundër kësaj, kryeministri Kurti e as ministri i Shëndetësisë Vitia, nuk kanë marrë mundin ta vizitojnë këtë komunë e cila nuk po përkrahet si duhet nga Qeveria e Kosovës për inate politike. Madje, qytetarët e kësaj komune shpesh herë fyhen e ofendohen pa të drejtë nga militantët e partisë në pushtet. Këto stereotipe janë të papranueshme. Është e rëndë deklarata e kryetarit të Komunës së Malishevës e bërë ditë më parë, ku bëri me dije që më shumë ka ndihmuar Malishevën një barnatore private sesa Ministria e Shëndetësisë.

Të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunat duhet të trajtohen barabartë, por aty ku burimi i infeksionit është më i madh duhet vëmendje institucionale më e theksuar, pasi komunat kanë kapacitete të kufizuara financiare për ta përballuar këtë pandemi. Malisheva ka qenë vatër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot është shëmbull i qytetarisë punëtore dhe meriton përkrahje shumë më të madhe për ta kaluar këtë krizë.

Qëndroni në shtëpi, mbani distancë e mbani pastërtinë. Këtë situatë do ta kalojmë së bashku

-Sponzor-