Media në funksion të informimit të paanshëm apo të propagandës?!

0

Jemi dëshmitarë se po jetojmë në epokën e teknologjisë dhe jo rrallë herë na bie që të lexojmë lajme nga më të ndryshmet nëpër portalet tona apo në rrjetet sociale. Varësisht nga pasioni ynë i leximit, ne çdo ditë marrim informacione të pakufishme.

Nuk janë të pakta rastet kur disa prej medieve tona nga roli informues po kalojnë në taborin propagandues, herë me dashje e herë pa dashje dhe kjo po ndikon në përceptimin negativ ndaj vetë medias në përgjithësi. Ideja që të bëhet çdo veprim apo gjest i ndonjë politikani apo këngëtari lajm, duket paksa pa shije dhe jo që brenda vetes po ngërthen informacion në interes të publikut.

Media në misionin e saj e ka dhe duhet ta ketë të informojë në mënyrë të paanshme, pa devijime dhe shtrembërime e aq më shumë të mos propagandojë në emër të klikimeve. Sot disa prej mediumeve tona kinse në emër të lirisë së shprehjes, marrin shkas që të shkruajnë lajme pa kurrfarë peshe dhe kjo vërtetë se po ndikon në imazh jo të mirë për vet ato.

Imazhi i çdo mediumi ndërtohet nga përmbajtja dhe qëllimi që ato pretendojnë ta arrijnë karshi audiencës së synuar. Nuk është e domosdoshme të merremi me anën e jashtme, kur përqëndrimi ynë duhet të fokusohet më shumë te ana e brendshme, pra me një fjalë te përmbajtja dhe jo te ambalazhi.

Fars në vete është t’i kërkosh dikujt llogari për veshjen e tij apo të saj, përderisa në anën tjetër vet vishesh “klasë” dhe me pasionin më të madh e ndjek dhe e përcjell trendin e fundit të veshjeve. Nuk jam këtu ta luaj gardianin e askujt, por jam të sqaroj një qasje jo korrekte nga aspekti etik dhe profesional.

Koncepti i modestisë nuk duhet të përceptohet me patjetër nga veshja apo marka e veturës që e vozit një person i caktuar, por më shumë nga qasja e tij/saj që e ndërton në relacion me të tjerët. Një tjetër problem tjetër që mund ta vërejmë te disa media janë titujt bombastikë dhe përmbajtja në disproporcion me titullin, kjo më së paku i shërben një gazetarie të mirëfilltë dhe një informimi të drejtë dhe të saktë.

Është trumbetuar shpesh prej medieve që disa prej institucioneve nuk janë sa duhet transparente në harxhimet apo shpenzimet e tyre që ia bëjnë buxhetit të shtetit. Shtrohet pyetja sa prej mediave tona janë transparente për t’i deklaruar të ardhurat e tyre? Sigurisht një pjesë prej tyre, jo të gjitha. Llogaria dhe transparenca duhet të jenë parakushte të çdokujt i cili e ka për qëllim të mirën e përgjithshme, ia vendosim emrin si të doni: politikan, gazetar, biznesmen, artist, ekonomist, jurist, mjek, polic etj. Dosido të pretendosh dhe të kërkosh nga dikush transparencë dhe nga ana tjetër vet të jesh i mbyllur në këtë pikë është hipokrizi e llojit vet.

E mira e përgjithshme nuk synohet duke e shënjestruar tjetrin veç pse mendon ndryshe prej nesh, gjithsesi ajo duhet të promovohet me fakte konkrete dhe jo me teke sipas dëshirave tona të momentit. Si përfundim misioni dhe roli i gazetarisë gjithnjë duhet të jetë i paanshëm dhe objektiv në raportimin e ngjarjeve me karakter sensitiv dhe si i tillë duhet të promovohet në vazhdimësi!

Autor: Herolind Rama

-Sponzor-