Mero Baze: Albini veshi uniformën e doganierëve të Millosheviqit dhe poshtëroi shqiptarët

0

Mero Baze mendon se Albin Kurti me veprimet e fundit si kryeministër i Kosovës ka poshtëruar shqiptarët.

Sipas drejtorit të gazetës ‘Tema’, vendimi për ‘të shpikur taksë dezinfektimi dhe certifikata mjekësore’ për qytetarët nga Shqipëria që hyjnë në Kosovë u mor fshehtas duke treguar se Kurti është njeri i ‘lig dhe idhnak’.

Baze madje kujton Enver Hoxhën dhe Sllobodan Millosheviqin që mbyllën ngjashëm kufirin.

“Si gjithë horrat politik që patriotizmin e kanë strehën e tyre të fundit dhe Albin Kurti demonstroi publikisht se “patriotizmi” I tij, ishte vetëm një mënyrë për të zënë karrigen e kryeministrit dhe në momentin që ajo po ikën, ai e hoqi maskën e patriotit dhe vesh uniformën e doganierëve të Milosheviçit që nuk të linin ta kaloje Morinin, para vitit 1999. Por me ata të paktën e kishim të qartë që nuk kalonim dhe nuk niseshim’, shkruan Baze.

“Në ditët e fundit të tij, si kryeministri më jetëshkurtër i Kosovës, e vetmja gjë që pati në dorë ishte të poshtëronte shtetasit e Shqipërisë në kufirin me Kosovën dhe ja doli’, shton ai.

Veprimet e tilla të Kurtit sipas Bazes, tregojnë kush është ai në të vërtetë.

“Kjo është nga ato gjeste që vlen sa gjithë historia e një njeriu në politik. Është nga ato gjeste që tregon shpirtin e një politikani dhe e nxjerr atë zbuluar se kush është në të vërtet’, thekson ai,

Shkrimi i plotë i Bazes.

Njeriu që e do Kosovën, sa zyrën e tij

Qindra kamionë dhe vetura, së bashku me udhëtarët që sot janë nisur drejt Kosovës, u përballën me një surprizë të hidhur në kufirin me Kosovën. Sipas një urdhri jo publik të qeverisë Albin Kurtit, qytetarët shqiptarë nuk mund të hynin në Kosovë, nëse nuk kishin një certifikatë mjekësore, një praktikë ende e pavendosur në Shqipëri, ndërsa kamionët duhet të paguanin 22 euro për dizifektim.

Kaosi në pikat kufitare dhe deklaratat politike në të dy anët e kufirit, e zbutën situatën mbasdite, kur qeveria anuloi urdhrin për taksën e dizifektimit dhe e la të paqartë dhe të pasqaruar procedurën se si duhet të udhëtohet nga Shqipëria në Kosovë si qytetarë.

Më herët zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, kishte ironizuar me vendimin e Shqipërisë për hapjen e kufirit me Kosovën, duke theksuar se çdo shtet përgjigjet për kufijtë e vet.

Në fakt është në dorë të qeverisë së Kosovës të vendos për kufijtë e saj dhe për regjimin e lëvizjes së udhëtarëve. Ajo ka të drejt ti mbyll kufijtë e Kosovës dhe ti hap sipas vendimeve që merr. Kjo vlen dhe për Shqipërinë.

Ajo që është e lig në gjithë këtë histori, është se qeveria e Kosovës dhe personalisht Albin Kurti, kanë marrë vendime në errësirë dhe jo publike, për të poshtëruar shqiptarët në kufij. Ata nuk kanë bërë publik ndonjë protokoll të standardit me të cilën duhet të komunikojnë me Shqipërinë dhe nuk kanë njoftuar zyrtarisht Shqipërinë se qytetarët dhe kamionët e Shqipërisë, nuk janë të mirëpritur në Kosovë. Nëse do ta kishin bërë këtë, natyrisht që në kufi nuk do të kishte kaos.

Askush nuk niset drejt një dere e cila dihet që është e mbyllur. Për me tepër që shqiptarët e Shqipërisë, janë mësuar me pika të mbyllura kufitare me Kosovën deri më 1990 nga Enver Hoxha, e më pas nga Milosheviçi.

Po ashtu nuk kanë rendur drejt kufirit as gjatë pandemisë.

Por ndërsa Shqipëria njoftoi hapjen e kufijve të saj me fqinjët, vendet e tjera fqinje bën të ditur protokollin e tyre me Shqipërinë.

Fjala vjen Greqia bëri të ditur se do të hap kufirin tokësor me Shqipërinë më 15 Qershor dhe do të jetë detyrues tamponi në kufi.

Mali I Zi bëri të ditur se më 5 qershor do të lejohet lëvizja drejt Malit të Zi të çdo qytetari nga Shqipëria.

Kosova nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar, por tinëz ka bllokuar kufirin duke shpikur taksë dizifektimi dhe certifikata mjekësore për qytetarët që udhëtojnë.

Këtë e bën njeriu që ka 20 vjet që gënjen Kosovën si ithtar bashkimit me Shqipërinë, si njeriu që do shemb kufijtë mes dy vendeve dhe do krijojë një shtet të përbashkët shqiptar.

Në ditët e fundit të tij, si kryeministri më jetëshkurtër i Kosovës, e vetmja gjë që pati në dorë ishte të poshtëronte shtetasit e Shqipërisë në kufirin me Kosovën dhe ja doli.

Si gjithë horrat politik që patriotizmin e kanë strehën e tyre të fundit dhe Albin Kurti demonstroi publikisht se “patriotizmi” I tij, ishte vetëm një mënyrë për të zënë karrigen e kryeministrit dhe në momentin që ajo po ikën, ai e hoqi maskën e patriotit dhe vesh uniformën e doganierëve të Milosheviçit që nuk të linin ta kaloje Morinin, para vitit 1999. Por me ata të paktën e kishim të qartë që nuk kalonim dhe nuk niseshim.

Albin Kurti i ka poshtëruar dyfish shqiptarët e Shqipërisë, pasi u ka mbyllur derën, kur ata kanë trokitur aty, pa u thënë më parë që nuk janë të mirëpritur.

Kjo është nga ato gjeste që vlen sa gjithë historia e një njeriu në politik. Është nga ato gjeste që tregon shpirtin e një politikani dhe e nxjerr atë zbuluar se kush është në të vërtet.

Albin Kurti tregoi se është një idhank i lig, një njeri që hakmerret ndaj Shqipërisë, pasi siç thonë këta kokboshët që ka në Tiranë e Prishtinë, Shqipëria duhet ta mbronte atë nga shumica legjitime parlamentare që e rrëzoi nga pushteti.

Dhe tani për Albin Kurtin shqiptarë të vërtet janë vetëm ata 25 për qind që e kanë votuar në Kosovë. Të tjerët ose nuk duhen lejuar të hyjnë në Kosovë, ose duhen zbuar nga Kosova.

Prova e tij “gjenerale” sot me kufijtë tokësor Shqipëri Kosovë, tregon se ai që u ngjit në pushtet si idhtar i Bashkimit, në të vërtet është njeriu që është gati ta ndaj Shqipërinë dhe Kosovën me tela me gjemba, nëse nuk i gjunjëzohen atij. Për të atdheu fillon dhe mbaron në zyrën e tij të kryeministrit 38 metra katror, e jo 38 mijë kilometra katror sa është Shqipëria me Kosovën. Ka qenë një kohë në vitet 90, kur Ibrahim Rugova kishte shpallur Kosovën Republikë dhe ajo ishte legale vetëm brenda zyrës së tij, pasi jashtë saj e njihte vetëm Shqipëria, por prapë dukej e madhe. Tani që Kosovën e njeh gjithë bota, Albin Kurti e ka bërë atë të vogël sa zyra e tij. Biles dhe sa shpirti i tij

-Sponzor-