Minikoment për takimin në Londër

0

Minikoment për takimin në Londër

Milazim KRASNIQI

Pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është i dobët, gjë që ka ndikim edhe në qëndrimin e mbajtur në takimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt sot në Londër. Tjetër mesele është që te folkloristët primitivë llogaritet si qëndrim shtetëror deklarata pa mbulesë e zyrtarëve qeveritarë, në stilin “a e pae se çka i tha?” Qëndrim të fortë të qeveritarëve mundëson vetëm pozita e qartë dhe e fortë e shtetit në raportet me të tjerët, jo deklaratat populiste që thuhen për promovime personale. Fjala vjen, edhe në këtë samit qëndrimi i Serbisë në raport me Kosovën është shumë më i fortë, sepse Serbia ka rezultate të mëdha në fushën e investimeve të huaja direkte. Për shembull, në vitin 2019 në Serbi ka pasur investime direkte në vlerë prej 3.8 miliardë, 3.5 miliardë në vitin 2018 dhe 2.8 miliardë në vitin 2017. Në këtë periudhë në Kosovë investimet kanë qenë dhe janë minimale, mbase edhe në rënie.

Në këtë kontekst, mund të thuhet se taksa 100% mbi produktet serbe nuk ka pasur asnjë ndikim në zhvillimin ekonomik të Serbisë. Serbia bën zhurmë për taksën, meqë e ka kthyer në presion kundër Kosovës, por Serbia tashmë ka gjetur tregje të reja për produktet e veta dhe nuk ka ndonjë ngecje në zhvillim shkaku i taksës.
Nga ana tjetër, Serbia në Londër u paraqit në pozicion ofensiv lidhur me integrimet ballkanike, duke mbajtur si kalë beteje miniShengenin. Edhe në këtë pikë pozita e Kosovës është inferiore. Serbia u prezentua edhe me projektin e autostradës Nish- Durrës si projekt zhvillimor e integrues.

Pra, pyetja e vërtetë është se çka mund të bëjë konkretisht qeveria jonë, jo çka thotë kryeministri në panel a para medieve. Me deklarata që gjasme tregojnë trimërinë e liderëve tanë para liderëve serbë, jemi ngopur moti. Por, si duket edhe Kurti do ta ndjek atë rrugë, në mungesë të fuqisë së shtetit dhe në mungesë të projekeve konkrete zhvillimore. Kuaizpatriotizmi është mall i lirë, por paguhet shtrenjtë nga masat e dëshpëruara me gjendjen e vet. Në këtë aspekt, as në Londër nuk pati ndryshim të kursit.

Kryeminstri Kurti e ka staturën që të prezentojë vendin në mënyrë dinjitoze, por i duhet kohë dhe mbi të gjitha i duhen vendime të guximshme, që e nxjerrin Kosovën nga izolimi latent, nga presioni permanent dhe nga keqqeverisja kronike. Besoj se edhe pas takimit në Londër (sigurisht edhe atij në Berlin) Kurti do të fillojë ta ketë më të qartë se këso objektivash fuqizues e transformues të shtetit nuk arrihen me populizëm dhe me folklorizëm, që shërbejnë për një përdorim. Ta prezentosh si lajm që i është kërkuar kryeministres serbe që ta njohë Kosovën, është lajm argëtues për masat, por nuk ka asnjë efekt në fuqizimin e shtetit. Në këso takimesh pyetja “a e pa çka i tha?”, duhet të zëvendësohet me pyetjen, “çfarë projektesh na u pranuan?” (24 shkurt 2020)

-Sponzor-