Ministria e Infrastrukturës thotë se në disa rrugë po intervenohet, ka pak rrëshqitje të dheut

0

Nata e mbrëmshme ka rikthyer reshjet e shiut në vendin tonë. Në disa lokacione të Kosovës sidomos në rajonin e Dukagjinit është raportuar për përmbytje. Por, policia ka konfirmuar se momentalisht rrugët janë të kalueshme dhe nuk ka përmbytje në ndonjë zonë apo rrugë. Të kalueshme janë edhe rrugët nacionale, përveç rrugës për Bogë që ka rrezik për rrëshqitje të dheut, kanë konfirmuar zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës për Gazetën Express.
Në mëngjes u raportua se në disa lagje të Deçanit ka përmbytje, këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Pejës, Xhevat Ibra. Mirëpo, komuna po merret me rastin.

Këshilltari politik i ministrit të Infrastrukturës, Fatos Mani tha për Express se rrugët janë të kalueshme, ndërsa në disa zona po intervenohet për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Kjo po ndodh kryesisht në zonat malore.

Sponzor

“Rruget jane ne gjendje te mire dhe te kalueshme, perveç kilometrit te 13’te ne rrugen e Boges, ku ekziston rrezik i perhershem per shembjen e gurëve, per shkak te erozionit. Edhe ne disa zona tjera ka nga pak rreshqitje, por intervenohet menjehere nga kompanite e Mirembajtjes”, tha Mani për Express.

Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se deri më tani nuk ka ndonjë informatë për përmbytje në ndonjë zonë apo rrugë.

“Nuk kemi asnjë informatë se ka përmbytje në ndonjë zonë apo rrugë”, tha zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi.

Të kalueshme janë rrugët edhe në komunën e Gjakovës, tha zëdhënësja e policisë së Gjakovës, Lirije Podrimaj.

-Sponzor-