“Mos i hapni as dritaret për ajrosje”

0

Ndotja e ajrit në Prishtinë ka arritur në nivele alarmante. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.

“Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave. Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën e hundën me shall”, thuhet në komunikatën për media të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Sponzor

Sipas të dhënave të Agjensionit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ambasadës Amerikanevlerat e PM 2.5 janë mbi vlerat e lejuara.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.

Ndotja e ajrit në Prishtinë

Ndotja e ajrit në Prishtinë

Agron Bektashi, ekspert i çështjeve mjedisore në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se situata sa i përket çështjes së ndotjes së ajrit është serioze dhe duhet ndërmarrë masa urgjente.

“Situata është mjaft serioze dhe të gjitha këto matje qofshin nga institucionet e shtetit dhe Ambasada Amerikane, tregojnë se ndotja e ajrit në rajonin e Prishtinës është mund të them gati alarmante”.

“Nuk është një situatë që zgjidhjet brenda një dite, një jave apo gjashtë muajve. Kjo kërkon një strategji të detajuar dhe një bashkëpunim të ngushtë, që fatkeqësisht ka munguar ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe operatorëve ekonomikë dhe institucioneve relevante shtetërore. Të bëhet një konsensus për çështjen mjedisore, pasi që jemi në një situatë serioze”, thotë Bektashi.

Prishtinë, 29 janar, 2018

Prishtinë, 29 janar, 2018

Ndotja e ajrit sipas Bektashit ka ardhur si pasojë e një zhvillimi të pakontrolluar dhe një planifikimi të keq urbanistik dhe hapësinor, si dhe mbipopullimit që është bërë në Prishtinë.

“Prishtina për shkak të mbipopullimit të cilën e ka përjetuar gjatë 15 viteve të fundit, ka një hyrje enorme të automjeteve, ku deri në 30 mijë automjete hynë në ditë, dhe në anën tjetër planifikimi i keq hapësinor në këtë vend ka lejuar të ndërtohet lagje të tëra të cilat ngrohen me sisteme vetanake, që shumica bazohen në thëngjill dhe dru”, thotë Bektashi.

Në Kosovë llogaritet të jenë afër 385 mijë vetura, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në vend është 18 vjet.

Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit në Prishtinë, ka vënë në alarm Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor dhe dikasteret tjera, të cilët kanë paralajmëruar masa për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.

Për degradimin e mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Në raportet e këtyre mekanizmave, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimore dhe në Evropë.

-Sponzor-