Nga Sabina Gjocaj: 7 Mitet rreth Aktgjykimit KO 72/20

0

Nga Sabina Gjocaj

1. Aktgjykimi ia ka grabitur pushtetin partisë fituese – E PAVËRTETË: Në rastin e mocionit të suksseshëm të mosbesimit të Qeverisë, Qeveria konsiderohet e dorëhequr. Këtu aktivizohet neni 95.5 i Kushtetutës, i cili e detyron Presidentin të mandatojë kandidatin e ri për Kryeministër. I PARI në radhë për të propozuar këtë kandidat dhe për të formuar qeverinë, është sërish partia/koalicioni FITUES. Për formimin e kësaj Qeverie duhet të ndiqet procedura e përcaktuar përmes paragrafit 2 dhe 3 të nenit 95 të Kushtetutës. Ky konstatim është plotësisht në përputhmëri edhe me parimet e përcaktuara më parë në Aktgjykimin KO103/14 të vitit 2014. Në rastin konkret, përkundër faktit se kjo mundësi për të formuar qeverinë i është dhënë partisë së parë, e njëjta ka refuzuar që ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe ka dëshiruar vetëm mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Mos-ndërmarrja e veprimeve konkrete për të formuar qeverinë e re, konsiderohet REFUZIM i kësaj mundësie. REFUZIMI për të shfrytëzuar këtë të drejtë, në parim, prodhon të njëjtin efekt juridik, sikurse në rastin kur, po e zëmë, Qeveria e re do të propozohej nga partia e parë dhe nuk do të merrte shumicën e votave të nevojshme në Kuvend. Për këtë arsye, këtu aplikohet paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës. E DYTA në radhën për formim të Qeverisë, është partia politike/koalicioni, që sipas diskrecionit të Presidentit, ka gjasat më të mëdha për të formuar Qeverinë. Ky diskrecion i Presidentit nuk është i pakufizuar, mirëpo ndërtohet dhe bazohet në takimet/konsultimet me partitë. NUK PËRJASHTOHET mundësia që këtë të drejtë, Presidenti sërish të ia garantojë partisë FITUESE. Kjo qartë është përcaktuar në Aktgjykimin KO103/14 të vitit 2014, pikat 89-95.
2. Aktgjykimi i ka dhënë të drejtë një Qeverie të re, e cila nuk ka legjitimitet demokratik – E PAVËRTETË: Për të iu përgjigjur këtij miti, duhet t’i rikthehemi një rasti interesant që ka ndodhur në Gjermani, që ngjason shumë me rastin konkret në Kosovë. Instituti i mocionit konstruktiv të mosbesimit e ka gjenezën në Gjermani, mirëpo gjatë historisë së saj, ky institut ka pasur sukses vetëm një herë. Në vitin 1982, në Gjermani, për herë të parë u kalua një mocion i suksseshëm mosbesimi, ku kandidati konservator i CDU-së, Helmut Kohl, sfidoi me sukses kancelarin e SPD-së, Helmut Schmidt, pasi mjaft delegatë liberal të FDP e prishën koalicionin me të. Edhe pse Kohl e mori mandatin, ai nuk e shërbeu plotësisht atë, pasi e konsideroi të domosdoshme politikisht të shkonte në zgjedhje të përgjithshme. Si e arriti këtë? Kancelari Kohl, duke përdorur autorizimet që buronin nga neni 68 i Kushtetutës Gjermane, në bashkëpunim me deputetët e partive që e mbështesnin atë, qëllimisht abstenuan nga mocioni i mosbesimit dhe kështu e detyruan vendin që të shkojë në zgjedhje të reja. Në 1983, Gjykata Kushtetuese gjermane duhej të përgjigjej në dilemën nëse përdorimi i atillë i nenit 68 nga Kohli, ishte i ligjshëm apo jo. Me këtë rast, Gjykata Kushtetuese gjermane e trajtoi edhe çështjen e legjitimitetit të një qeverie, e cila vjen në pushtet përmes një votimi konstruktiv të mosbesimit. Gjykata Kushtetuese gjermane e bëri të qartë se nga pikëpamja kushtetuese, një qeveri e tillë ka të njëjtin legjitimitet, si ajo që vjen në pushtet menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Ashtu sikurse ndodhi edhe në Gjermani, personalisht mendoj se me këtë tempo politike, qoftë në qarqet e brendshme dhe ndërkombëtare, qeveria e pas-mocionit nuk do të jetë afatgjatë dhe zgjedhjet e tjera do të vijnë shpejtë.

3. Aktgjykimi ia ka humbur peshën garës elektorale – E PAVËRTETË: Aktgjykimi ka përforcuar parimet themelore të një demokracie parlamentare. Legjislativi e kontrollon ekzekutivin, e jo e kundërta. Kjo është edhe esenca e mocionit të mosbesimit, si mekanizëm i kontrollit kushtetues të Qeverisë nga Kuvendi. Votimi i mosbesimit ndaj një Qeverie nuk lidhet automatikisht me mandatin e vetë Kuvendit, e rrjedhimisht, edhe me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Nëse do të pranohej kjo praktikë, atëherë Kuvendi do të ishte peng i Qeverisë.

4. Aktgjykimi bie në kundërshtim me vullnetin e popullit – E PAVËRTETË: Kjo jo vetëm që është e pavërtetë, por është edhe propagandë që vë në lajthitje popullin. Sistemi ynë është i ndërtuar si demokraci reprezentative parlamentare. Populli voton deputetët – deputetët përfaqësojnë popullin në Kuvend. Vetë Kuvendi e kaloi mocionin e suksseshëm të mosbesimit kundër Qeverisë. Andaj, kur populli fajëson për vjedhjen e vullnetit të tij, në fakt po fajëson pjesën më të madhe të popullit që i ka votuar këta deputetë që ushtrojnë funksionin e tyre në Kuvend. Këtu kemi të bëjmë me një paradoks të çuditshëm, ku populli e akuzon dhe lufton vetveten.

5. Aktgjykimi nuk e ka sqaruar çështjen e afatit për propozim të mandatarit – PJESËRISHT E VËRTETË: Edhe pse shprehimisht Gjykata nuk ka përcaktuar afat kohor për propozimin e kandidatit të parë për Kryeministër, kjo nuk nënkupton diskrecionin dhe të drejtën e partisë së parë që ta konsiderojë këtë afat si të pakufizuar. Për këtë fazë kam dhënë një mendim në dhjetor të 2019 dhe qysh atëherë pata thënë se ky afat nuk guxon të keqpërdoret, por përkundrazi, duhet të veprohet sa më shpejtë. Në të kundërt, norma juridike do të mbetej abstrakte dhe krijimi i Qeverisë do të mbetej peng i partisë së parë në pafundësi. E njëjta gjë vlen edhe për dekretimin nga Presidenti, i cili assesi nuk mund ta bllokojë këtë fazë duke u arsyetuar se nuk ka afat të caktuar për ta bërë këtë.

6. Aktgjykimi i ka hapur rrugë pazareve politike – PJESËRISHT E VËRTETË: Aktgjykimi indirekt ka treguar se për partinë fituese, kushdo qoftë ajo në të ardhmen, nuk mjafton vetëm të dalësh në pozitë të parë me vota. Partia e parë duhet të ketë fuqinë, gatishmërinë dhe pjekurinë për të bërë kompromise politike. Pra, kjo parti, në cilësi të liderit, duhet të etablojë një ambient të tillë politik i cili ‘kënaqë’ shumicën reprezentative të Kuvendit, e rrjedhimisht edhe shumicën e popullit.

7. Aktgjykimi është gjëja më e keqe që i ka ndodhur Kosovës këto pesë vitet e fundit – E PAVËRTETË: Turbulencat politike, para dhe pas mocioneve të mosbesimit, janë normale në të gjitha vendet që përqafojnë sistemin e demokracisë parlamentare. Hiç më larg se gjatë shkurtit të vitit 2020, Rumania hasi në një situatë të ngjashme me qeverinë e kryeministrit Ludovic Orban. Përderisa është mjaft mirë që ka rritje të vetëdijes qytetare për të qenë pjesë aktive e ndodhive në skenën politike, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duhet ta konsumojnë politikën ditore si kafshatën e bukës. Çdo gjë e keqe e ka një të mirë dhe anasjelltas (yin-yang). Përse e them këtë? Periudha që pason do të jetë mundësi e mirë për refleksion për tre subjekte:
(1) Qytetarit të thjeshtë: i jep mundësinë të kuptojë se, pas 50 ditësh testimi të qeverisë së kaluar, a do ta favorizojë apo ndëshkojë me votë atë në zgjedhjet e ardhshme.

(2) Qeverisë së re (spektrit politik të vjetër): i jep mundësinë për të ndryshuar, për të zbutur frustrimin e popullit dhe për të mos shkuar drejtë vetëvrasjes politike.

(3) Qeverisë së rrëzuar: i jep mundësinë që të pjeket politikisht dhe të mos ndërmarrë veprime impulsive që e dëmtojnë në realizimin e qëllimeve të proklamuara.

* Autorja, Sabina Gjocaj, është juriste e diplomuar ne Universitetin e Prishtinës me notë mesatare 10.0 dhe ka magjistruar në Universitetin e Groningenit në Holandë, në “Global Criminal Law” me rezultate të shkëlqyera

*Ky është vështrim personal prej opinioni i autores.

-Sponzor-