Pacolli prap me gafa: U habita se si Trumpi më kishte mbajtur mend prej viteve të 90-ta

0

Në vitin 2013 thotë të kishte refuzuar një takim me Daonald Trumpin. 5 vjet më vonë, është Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ai që vrapoi për një shtrëngim dore me njeriun më të rëndësishëm në botë.

Momentin ‘spontan’ të shtrëngimit të dorës me presidentin amerikan Donald Trump, zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli e publikoi në rrjetet sociale shumë krenar.

Pavarësisht pamjeve dhe kritikave të shumta të cilat ai i quan ‘dashakeqëse’ Pacolli vazhdon të mburret me një veprim të tillë.

‘Sinqerisht nuk merrem shumë me atë çka njerëzit mendojnë por nuk njoh askënd në këtë botë i cili do të refuzonte t’ia shtrijë dorën Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e sidomos ne kosovarët që jemi të lidhur me SHBA’të dhe i konsiderojmë shtet mik’, tha Pacolli për RTV21.

Ai përshkruan situatën kur i zgjati dorën presidentit amerikan.

“Kemi qenë vetë aty dhe e kemi pa se ai vinte prej drejtimit tjetër. Unë isha nga pak njerëzit që ishim aty. Ai më fiksoi, e ngriti dorën, e ngriti gishtin dhe i bëri dy hapa këndej. Është normale që edhe unë t’i bëjë dy hapa dhe t’ia shtrëngoj dorën”, shpjegoi Pacolli.

Pacolli thotë të jetë impresionuar nga Trump, i cili sipas tij, e kishte mbajt mend fytyrën e Pacollit.

“Shtrëngimi im i duarve me Trumpin ka qenë pa reflektor, pa fotografi. Ka qenë spontan me një njeri që jam habitur që me njihte”, theksoi Pacolli.

“E njoh prej viteve 90’të dhe jam impresionu që fytyrën time nuk e kishte harruar fare”, shtoi ai.

Pacolli thotë se në të kaluarën ka takuar dy herë presidentin amerikan.

Ndërkohë në një intervistë të mëhershme dhënë mediave në Kosovë, ai kishte thënë se më 2013 kishte refuzuar një takim me Trump.

“Ka qenë në vitin 2013, isha i angazhuar tërë ditën me takime të tjera për njohjen e Kosovës, dhe preferova të anuloj takimin me Trump. Për mua çdo herë ishte me rëndësi Kosova dhe takimi me Trump ishte për shkak biznesi, por preferova të merrem me vizitat për shtetin e Kosovës”, tha ai.

-Sponzor-