Përfundon takimi i Kryesisë së LDK-së, ky është vendimi që morën për koalicionin me VV-në

0

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur para mediave pas mbledhjes që pati me kryesinë e partisë, raporton Gazeta Express.

Mustafa ka deklaruar se në mbledhje të kryesisë janë informuar nga ekipi negociues për bisedimet që i kanë zhvilluar me VV-në.

Sponzor

“Ne sot në mbledhje të kryesisë u informuan nga ekipi lidhur me rrjedhën e dialogut, bisedave dhe negociatave që u zhvilluan me VV-në për harmonizimin e programeve, konsideroj se është arritur mjaft shumë në këtë pjesë, janë arritur pajtime të një niveli të kënaqshëm. Si do të funksionojë qeveria me sa ministri”, tha Mustafa.

Ai ka shtuar se çështjet për të cilat nuk pajtohen janë të pakta.

“Çështjet që nuk pajtohemi janë shumë të pakta, do të vazhdojmë pas certifikimit të rezultateve do të jemi në nivelin e lartë, do të jem unë dhe nënkryetarët dhe një përfaqësues që ka qenë me grupin negociues”, tha ai.

“Në ndarjen e përgjegjësive duhet të hyjnë të gjitha pozitat që duhet të jenë aktuale në qeverisjen e ardhshme, duhet t’i nxjerrim në një marrëveshje të mirëkuptimit. Për pika nuk do të lëshohem konkretisht, janë disa çështje të ekonomisë që kanë të bëjnë me mjetet nga privatizimi dhe mjetet tjera, ka përafrim si do të trajtohen ato. Te çështjet sociale ka disa dallime që kanë të bëjnë kryesisht me konceptin tonë”, shtoi Mustafa, raporton Gazeta Express.

Lideri i LDK-së ka thënë se sa i përket asaj se kush duhet të jetë kryeministër i ardhshëm ishin dakorduar para zgjedhjeve se kjo pozitë i përket atij që del i pari nga zgjedhjet.

“Po ne parimisht jemi shprehur para fillimit të zgjedhjeve që ne do ta pranojmë që kryeministrin ta ketë partia që del e para dhe ne do t’i përmbahemi këtë parimi, nëse i përmbahemi këtij parimi nuk do të thotë që është çështje e përfunduar, në aspektin e çështjeve tjera shtetërore. Për këtë nuk kemi folur, do të flasim në një takim që do ta kemi me liderin e VV-së. Do të bisedojmë do të merremi vesh do ta bëjmë publike para jush”, shtoi ai, derisa nuk foli për ndarje të ministrive.

“Ne nuk jemi në fazën kur mund të flas për ndarje të ministrive, para të gjithave duhet ta diskutojmë me partnerin qeverisës”, shtoi kreu i LDK-së, derisa foli edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Përgjegjësia për dialogun në të ardhmen do të jetë në qeveri, te kryeministri dhe në kabinetin qeveritar, unë nuk pres që duhet të kemi ndonjë kundërshtim të VV-së në këtë aspekt”, shtoi ai.

“Unë po shoh se po bëhet shumë zhurmë në media për punën e presidentit, nuk e kemi në rend dite çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ne konsiderojmë që të gjitha çështjet që do të dalin gjatë kësaj periudhe duhet të diskutohen përmes partnerëve, sigurisht edhe çështja e presidentit, në asnjë rast nuk jam shpreh që unë duhet të jem president, për të do të vendosë partia të cilës i takon që ajo ta propozojë presidentin, ai propozim do të bëhet kur të shpallen zgjedhjet për president, tash duhet të merremi vesh që ta kapërcejmë edhe këtë, nëse kjo nuk bëhet është një bindje e jonë se brenda një viti do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha Mustafa.

“Tani do të merremi vesh kujt i takon të propozojë kandidatin për president të ardhshëm, ai kandidat do të propozohet kur të vijë koha”, ka shtuar ai.

-Sponzor-