Policia jep detaje për personin që tentoi të futet dhunshëm në Ambasadën Amerikane

0

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person, pasditen e djeshme ka tentuar të futet dhunshëm në objektin e Ambasadës Amerikane në Dragodan. Në një përgjigje për Periskopin, zyrtarët policorë kanë thënë se ndaj të dyshuarit janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura policore. Sipas tyre, dyshohet se personi vuan nga të metat mendore.

Gjatë ditës së sotme, Periskopi raportoi se një person ka tentuar të futet dhunshëm në objektin e Ambasadës Amerikane në Dragodan.

Ai u pengua nga pjesëtarët e sigurimit, të cilët nga distanca tentuan ta pengojnë hyrjen e tij brenda hapësirës së Ambasadës.

Ata e patën të vështirë të neutralizojnë atë, pasi dyshonin se mund të jetë i armatosur. Kësisoj u kërkua ndihma e Policisë së Kosovës, të cilët e arrestuan të dyshuarin, shkruan Periskopi.

Në përgjigjen e Policisë për Periskopin thuhet se dyshohet që personi vuan nga të metat mendore dhe sjellje të pakontrolluara.

I njëjti është dërguar për ekzaminime përkatëse mjekësore.

“Dyshimet e tilla janë konfirmuar edhe nga ana e mjekut specialist dhe të njëjtit i është ofruar terapia mjekësore”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë së Kosovës, lidhur me këtë rast.

Se një incident ka ndodhur dje para Ambasadës Amerikane, për Periskopin e konfirmoi edhe zëdhënësi Richard Mei.

Në përgjigjen e tij, ai shkruan se ‘një individ me sjellje të çuditshme shkaktoi një incident të vogël para ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë me 9 janar’.

Tutje, ai tregon se me këtë rast u mor Policia e Kosovës.

Ndërhyrja e Policisë kishte qenë e domosdoshme, pasi pjesëtarët e sigurimit nuk kishin njohuri nëse i dyshuari kishte qenë i armatosur, apo çfarë pretendimesh kishte.

Burime të Periskopit bëjnë të ditur se personi i dyshuar kishte filluar të ofendojë e të bërtas para Ambasadës.

“Nanën, kush jeni ju që nuk jepni viza”, kishte bërtitur i dyshuari, i cili mezi arriti të neutralizohet nga Policia e Kosovës, të cilët përdorën edhe sprej ndaj tij.

Ky rast ndodhi vetëm pak ditë pasi u raportua se Ambasada Amerikane ia ka refuzuar vizën kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj është kryeministri i parë i vendit që nuk ishte pajisur me vizë amerikane për vizita zyrtare në ShBA.

Në një përgjigje për media lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane Richard Mei kishte thënë se nuk mund ta komentoj rastin për shkak të privatësisë së të dhënave.

“Ambasada nuk komenton në raste individuale të vizave për shkak të ligjeve tona të privatësisë të të dhënave”, kishte thënë ai.

Për këtë çështje, kishte folur edhe vetë kryeministri Haradinaj.

Ai kishte thënë se është në pritje të vizës amerikane në mënyrë që të mund të udhëtoj në ShBA lidhur me lutjet e mëngjesit, ndërkohë që nuk kishte arritur të shkojë në SHBA për disa takime që kishte pasur në shtetin e Loëa-s, pasi ende nuk e kishte marrë përgjigjen për vizë amerikane.

-Sponzor-