Pse VV-ja është kaq e frikësuar nga ajo që mund të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

0

Një folje po mban nën ankth partitë politike në vendin tonë. Interpretimi i kësaj foljeje pritet të përcaktojë rrjedhën e zhvillimeve politike për gjithë dekadën aktuale. Folja në fjalë është “mund”, e ndodhur në nenin 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ndryshimi në kuptimin e kësaj foljeje po çon aktualisht në prova për protesta, e në rrezikim të shëndetit publik. Por, pse kjo folje u bë kaq e rëndësishme?

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës në detyrë raportoi për të arriturat e 100 ditëve të para në qeverisje. Por, një ditë më herët, mu në ditën e njëqindtë të kësaj qeverie, ndodhi një provë për protestë nga aktivistë të Vetëvendosjes, e cila mësynte t’i dilte kundër vendimit të mundshëm nga Gjykata Kushtetuese që do të lejonte formimin e një qeverie të re.

Sponzor

Prova për protestë mblodhi rreth pesëqind njerëz në sheshin Skënderbeu, ndërsa aktivistë të Vetëvendosjes paralajmëruan një provë tjetër ku do të mblidheshin plot një mijë e pesëqind sish.

Institucionet që përsërisnin pambarim para qytetarëve “rrini n’shpi” papritmas hezituan t’i dilnin kundër këtyre provave që po e rrezikonin shëndetin publik.

Madje, nuk e çelën gojën as njerëzit që kishin shkelur të drejtën e njerëzve për liri të lëvizjes në formë anti-kushtetuese. E drejta për protestë u bë më prioritare se sa e drejta për lëvizje të lirë në kohë pandemie.

Çka thanë dy njerëzit më të votuar të VV-së?

Albin Kurti, kryeministër në detyrë, deklaroi gjatë ditës së djeshme se “nuk e inkurajonte” protestën por se e kuptonte reagimin e qytetarëve.

Ndërkohë që Glauk Konjufca, pas mesnate në Interaktiv u shpreh edhe më qartë duke thënë që vendimi eventual i Gjykatës Kushtetuese që do të lejonte formimin e Qeverisë Hoti do ta “prishte sistemin” dhe se qytetarët “po e ndjejnë në zemër” se diçka e tillë po ndodh. Ai madje shkoi edhe më larg duke thënë që “nuk kishte kuptim më dalja në zgjedhje” nëse do t’iu mundësohej partive të tjera që ta formonin shumicën e re parlamentare.

Folja “mund”

Në paragrafin e dytë të nenit 82 të Kushtetutës thuhet si vijon: “Kuvendi ‘mund’ të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.”

Kryeministri Kurti vazhdon të ngulmojë se foljes ‘mund’ i ka humbur kuptimi gjatë përkthimit prej gjuhës angleze dhe se ajo nuk përmban frymën e Kushtetutës në versionin origjinal në anglisht.

Gjuhëtari Dalian Zogaj ndërkohë, beson që kjo folje nuk ka kuptim semantik të “detyrimit” por të “lejimit”. Sipas tij, kjo nënkupton se Presidentit i lejohet shpërndarja e Kuvendit dhe kalimi në zgjedhje të reja, por i lejohet edhe konsultimi me partitë e tjera për të formuar shumicën e re parlamentare, e me këtë, edhe qeverinë e re.

Pse VV është kaq e frikësuar nga Kushtetuesja?

Provat për protesta, protestat, gjuha e urrejtjes e përdorur ndaj Isa Mustafës, Avdullah Hotit e LDK-së, janë thjesht disa nga simptomat e një shqetësimi të thellë për Vetëvendosjen për rastin në fjalë.

Çështja pa dyshim se është përtej situatës aktuale politike, ‘vjedhjes së mandatit’ apo ‘mungesës së legjitimitetit politik’ nga Qeveria Hoti.

Kësaj here, çështja është te ri-kuptimësimi i rregullave të reja ‘të lojës’ që do të determinojnë pazaret/marrëveshjet për bashkëqeverisje mes partive politike.

Dallimi në leximin e rezultateve zgjedhore të 6 nëntorit, bëri që Vetëvendosje dhe LDK do zvarrisnin marrëveshjen e tyre për 119 ditë. Vetëvendosje besonte e beson se përfaqësimi i tyre parlamentar, duke qenë partia më e madhe në Kuvend, ishte përmbajtësisht më i rëndësishëm se sa partia e dytë që e kishte vetëm një deputet më pak.

Kjo do ta ndryshojë përgjithnjë mënyrën se si mendohen zgjedhjet, duke përforcuar rolin e të gjitha partive parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje beson që partia e cila del e para në zgjedhje parlamentare duhet të jetë e vetmja që duhet të marrë mundësinë për ta formuar qeverinë.

Në fakt, ky ishte koncepti mbizotërues deri tash megjithëse nuk ishte në përputhje të plotë me frymën kushtetuese.

Bartësit e listave të kandidatëve për deputetë, pra numrat (1) për kandidatë për deputetë shpallnin në të vërtetë kandidaturën për kryeministra – ani që, një term i tillë nuk ishte i pranishëm në terminologjinë e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Nëse Kushtetuesja konsideron që jo vetëm partisë së parë i takon e drejta për formimin e qeverisë, kjo do ta ndryshonte mënyrën se si mendohen zgjedhjet.

Përfaqësimi politik i të gjitha partive parlamentare do të bëhej më i rëndësishëm, pavarësisht renditjes sa i përket numrit të deputetëve. Dhe kjo do ta shtrëngonte partinë e parë që të bënte koalicion me ndonjërën prej partive të tjera parlamentare.

Me fjalë të tjera, pavarësisht rezultatit zgjedhor, Vetëvendosjes do t’i duhej që të bënte koalicion pas-zgjedhor me partitë e tjera parlamentare në kontekstin aktual.

Deri tash, zgjedhësit e partive që nuk dilnin të parat në zgjedhje ishin më pak të rëndësishëm se sa zgjedhësit e partive që dilnin të parat shkaku i këtij interpretimi mbizotërues.

Nëse Gjykata Kushtetuese nuk konteston dekretin e Presidentit, kjo do të nënkuptonte që të gjithë zgjedhësit e vendit të përfaqësuar në partitë politike parlamentare do të ishin barazisht të përfaqësuar.

Kujtojmë që Vetëvendosje është akuzuar nga LDK-ja për “qeverisje diktatoriale” pasi kishte shkelur njëanshëm Marrëveshjen për Bashkëqeverisje pas shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm pa u konsultuar me kryetarin e LDK-së.

-Sponzor-