Qeveria deklarohet për kërkimet e dy policëve në pjesën maqedonase

0

Kërkimet për dy policët e zhdukur në magjistralen Kaçanik- Han i Elezit kanë vazhduar edhe sot.
Këto kërkime janë zgjeruar edhe në pjesën maqedonase të lumit Lepenc, aty ku dyshohet se dy policët kanë rënë pas aksidentimit, shkruan lajmi.net.

E gjatë ditës së djeshme, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, përderisa po qëndronte në vendin ku u aksidentuan dy policët, deklaroi se nëse do të jetë e nevojshme do të kërkojë nga homologu i tij, Zoran Zaev, që të fillojnë kërkimet edhe në Maqedoni.

Sponzor

Ndërkaq sot, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, tha për lajmi.net se një kërkesë e tillë do t’iu bëhet autoriteteve maqedonase në momentin kur të gjitha kërkimet të përfundojnë në pjesën kosovare të lumit Lepenc.

Arifi bëri të ditur që edhe trupat maqedonase janë në terren dhe ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit po hulumtojnë nëse gjendja do të arrijë në atë nivel në të cilën do të jetë e domosdoshme të kërkohet edhe leja për FSK-në që të hyjë në territorin maqedonas.

“Ajo do të ndodhë në momentin kur të gjitha kërkimet përfundojnë brenda Kosovës, megjithatë është bërë një kërkesë joformale që të shikohet, edhe trupat maqedonase janë në terren, si dhe ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit. Edhe ata janë duke hulumtu se a do të mbërrij në atë shkallë që do të jetë e domosdoshme që të kërkojmë leje për FSK-në, mirëpo nuk po më duket që do të kenë nevojë sepse ata e kanë marrë shumë seriozisht”, tha Arifi për lajmi.net, transmeton Gazeta NewBorn

Ai shtoi se kërkime janë kryer në rreth pesë kilometra të lumit Lepenc mirëpo ende nuk ka asnjë gjurmë.

“Po të jetë e nevojshme atëherë sigurisht që do të kërkohet një gjë e tillë, por deri tash fatkeqësisht nuk kemi asnjë lajm të ri, jemi tu e përcjell çdo moment situatën, kemi kërkuar pesë kilometra në lum mirëpo ende nuk ka asnjë gjurmë”, përfundoi Arifi.

Dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës u zhdukën mbrëmjen e së shtunës rreth orës 20:45./Gazeta NewBorn/

-Sponzor-