REBUSI SIRIAN, ÇKA MUND TË MËSOJMË PREJ TIJ

0

Milazim KRASNIQI

Në rebusin sirian, enigma nuk ka mundësi të zgjidhet, sepse çdo gjë ka dalë jashtë sistemit, jashtë logjikës. Ja se si është gjendja momentalisht: Asadi vazhdon ta vrasë popullin e vet. Opozita hererogjene lufton kundër Asadit, e lidhur dhe në shërbim të fuqive të huaja. Shtetet e huaja luftojnë në Siri, ose në anën e Asadit, ose të opozitës, në të dyja rastet duke vrarë sirianë e duke e shkatërruar edhe më shumë Sirinë. Turqia e stërngarkuar nga refugjatët sirianë, rreth katër milionë gjithsej, ka filluar t’i lejojë ata që të nisen drejt Bashkimit Evropian, si presion ndaj BE-së dhe botës. Bashkimi Evropian bën përpjekje ta mbajë kufirin të mbyllur, duke i bërë karshillëk Turqisë, edhe me kushtin që refugjatët të vdesin në të ftohtë, nga uria dhe nga mungesa e kushteve elementare për të jetuar. Shtetet e Bashkuara janë zotuar ta furnizojnë armatën turke me armatimet e nevojshme në konfrontimin e saj të tashëm me Asadin. Rusia përkrahë me të gjitha mjetet Asadin. Bota arabe përkrahë njërën ose tjetrën palë, ose thjesht bën sehir. Bota muslimane përkrahë njërën ose tjetrën palë, ose thjesht bën sehir. OKB është e paralizuar. Përfundimi im modest është ky: këso tragjedish si kjo e popullit sirian dhe e shtetit të Sirisë, u ndodhin popujve që fillimisht lejojnë të sundohen nga sundimtarë kriminelë, ndërsa kur rebelohen, nuk gjejnë metodat e duhura si të çlirohen nga sunduesit kriminelë, prandaj lidhen me organizata e shtete terroriste, hegjemoniste a imperialiste, që kanë qëllime të errëta ndaj tyre dhe ashtu gjendja u bëhet edhe më tragjike, shkatërrimi u bëhet edhe më i plotë. Thënë thjesht, as në rastin sirian nuk mund të gjendet zgjidhje, pa kthjellimin e palëve të armiqësuara siriane, pa kompromise ndërmjet tyre, pa aftësinë e tyre për të dalluar miqtë nga armiqtë. Dhe pa e kërkuar sinqerisht e bashkërisht, me pendesë të thellë, ndihmën e Zotit.

Sponzor

Ma merr mendja se edhe ne, krahas dhimbjes së thellë njerëzore për viktimat e saj, duhet të mësojmë prej kësaj tragjedie të Sirisë. Nëse nuk mësojmë, mund ta pësojmë. Si të mësojmë? E para, duhet të ndalet menjëherë eskalimi i konfrontimit të brendshëm, që po merr përmasa iracionale. E dyta, duhet të ruhet pozicionimi strategjik atlantik, i cili na mban në këmbë e në paqe. E treta, duhet të ruhemi natë e ditë nga provokimet e armiqve, të cilët synim permanent e kanë të na fusin në ndonjë skenar tragjik, si skenari sirian. Nëse në aspektin njerëzor mendojmë si për familjarët tanë për ata refugjatë të mjerë në kufirin turko-grek, që thjesht po vdesin pa u ofruar solidaritet e mëshirë, mund të ftohen edhe pasionet politike, që vëllezërit i prezentojnë si armiq. E pakta, rebusi sirian na mëson se armiqtë më gjakatarë të një populli, dalin nga honet e përçarjeve të brendshme të atij populli.

-Sponzor-