SHBA-ja paralajmëron Kosovën për taksën

0

Letra që erdhi nga Amerika për liderët kosovarë e ku kërkohej pezullim i menjëhershëm i taksës, i mobilizoi krerët e shtetit. Por, vendimi për taksën, as pas këtij paralajmërimi, u bë e ditur se nuk do të hiqet. Ishte kryeministri Ramush Haradinaj që pas takimit që pati me presidentin, kryeparlamentarin e ministrat, u deklarua se e lut Amerikën që t’i kuptojë, duke thënë se masa nuk hiqet deri në njohje, shkruan Express.
Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj e gati të gjithë ministrat u mblodhën mbrëmë në njërin nga restorantet e Prishtinës me ftesë të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Aty u diskutua për paralajmërimet që po vijnë nga shtetet mike të Kosovës, për heqjen e taksës për 100% për të gjitha produktet serbe e boshnjake, pak pasi që në opinion doli edhe letra e zëvendësasistentit të Sekretarit të Shtetit Amerikan, Matthew Palmer.

Sponzor

Në këtë letër, dërguar tre krerëve të shtetit, saktësohej se vazhdimi i masës ndaj Serbisë e Bosnjës do të thotë minim i bashkëpunimit me SHBA-në.

Matthew ka shkruar edhe se si fillim është anuluar vizita e planifikuar e Gjeneralit Orr, duke thënë se kjo ka ndodhur pas veprimeve të padobishme të Qeverisë.

“Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse edhe ato do të pakësohen/shkurtohen”, shkruhet në letër.

Pas këtij paralajmërimi, liderët u mblodhën për të darkuar në njërin nga restorantet e Prishtinës.

Nga aty i pari doli presidenti Hashim Thaçi që nuk pranoi të flasë për media.
Pas tij, ishte kryeministri Haradinaj që bëri të ditur se nuk kanë ndryshuar mendim për taksën dhe se ajo nuk do të hiqet deri në njohje nga Serbia.

“Kam pasur takim me ambasadorin me Philip Kosnett për të cilin kam respekt dhe është diplomat i zoti, ai ka qenë shumë i saktë i ka sugjeruar Kosovës që të pezullohet taksa dhe njëkohësisht ka paraqitur edhe këtë letër që vjen për tre udhëheqësit e Kosovës, kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin. Unë kam pas rastin që t’i them. Taksa nuk u vendos në lidhje me Amerikën as zhvillimet e fundit në dialog, që 20 vjet në konflikt I ngrirë jemi lodhë dhe kërkojmë një finale Kosovë-Serbi, kërkojmë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha Haradinaj, duke shtuar se e lut Amerikën që t’i kuptojë në këtë rast, raporton Express.

“Edhe unë jam me u hekë taksa jo m’u pezullu por me u lidh me njohjen. Qëllimi është me sjellë një situatë të marrëveshjes me Serbinë. E lus vendimmarrësit në Amerikë që të na kuptojnë se nuk mundem me ju nënshtrua më Serbisë., që Serbia me ba hajgare me njeh me njohjet, me ba hajgare kur na nuk anëtarësohemi në Interpol dhe Serbisë që sulmon familjarët e pjesëtarëve të FDSK-së”, shtoi i pari i Qeverisë.

Ai ka shtuar se gjithçka që vjen nga Amerika e kupton drejt dhe e kupton që ajo dëshiron vetëm të stabilizojë rajonin.

Vendimi për pezullim të taksës po përkrahet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, e lideri i saj Kadri Veseli, ndërkaq, presidenti i vendit, Hashim Thaçi dje është deklaruar se edhe pse Serbisë i është bërë dëm me taksën, nuk ia vlen barra qiranë, pasi që janë dëmtuar marrëdhëniet me Amerikën. /Express

-Sponzor-