Shembulli i stomatologut nga Ferizaj, e punëson në ordinancë 18 vjeçaren të prekur nga sindroma Down

0

Tetëmbëdhjetëvjeçarja Elodia Alija, nga Ferizaj, e prekur nga sindroma Down, po thyen të gjitha paragjykimet e shoqërisë, duke u bërë asistentja e parë e një stomatologu. Në një rrëfim për Express familja tregon për të gjitha sfidat dhe ëndrrat e vajzës që tashmë me veshjen e mantelit të bardhë po bëhen realitet
Ka lindur pak kohë pas përfundimit të luftës, e ashtu si periudha kohore kur është lindur, as jeta e saj nuk ishte e lehtë.

Shpesh herë ishte pjesë e paragjykimeve të ndryshme nga shoqëria, por, asnjëherë kjo nuk e ndali në arritje të ëndrrave të saj.

Sponzor

Kur flitet për ëndrrat, 18 vjeçarja Eloida Alija kishte shumë të tilla, kishte ëndërruar të bëhet këngëtare, aktore, e modele, por, mbi të gjitha, të vishte mantelin e bardhë për t’i ndihmuar njerëzit e sëmurë.

Viti që e lamë pas, për Eloidën ishte kthesë e ndryshim në shumë sfera të jetës. Pasi që përfundoi shkollën fillore, asaj iu pamundësua të vazhdojë shkollimin e mesëm.

Pikërisht në këtë periudhë, pak kohë pasi mbushi 18 vjet filloi punën.

Tash për çdo ditë, Elodita që jeton në fshatin Balaj të Ferizajt zgjohet herët për të shkuar në punë. Nuk ka shumë muaj, prej kur ajo ka filluar të shërbejë në një kafe bashkë me shokun e saj Besnikun.

Eloida gjate punes ne kafe – Ferizaj
Por, Eloida e Besniku që mundohen që paratë e tyre t’i fitojnë vetë, shpesh herë ishin dëshmitarë të një shoqërie që për ta ndonjëherë di të tregohet e pamëshirshme, krejt kjo sepse të dy nga ta janë të prekur nga sindromi Down.

Për t’i thyer të gjitha stereotipat të cilat janë krijuar për ta, një befasi e bukur është përgatitur për Eloidën.

Ajo nga një shkurti do të fillojë edhe një punë tjetër, diçka që për personat me sindromën Down është shumë e veçantë, e mbi të gjitha edhe një mësim i mirë për të gjithë ata që i shohin me një sy ndryshe.

18 vjeçarja do të asistojë në një ordinancë stomatologjike në komunën ku ajo banon e tashmë për surprizën e saj po bëhen edhe përgatitjet e fundit.

Në një rrëfim për Gazetën Express, nëna e vajzës, Indira Alija ka treguar detaje nga jeta e sfidat që ka pasur gjatë rritjes së Eloidës, e nga mungesa e ndihmës institucionale që shpesh herë donte të thoshte thyerje e të gjitha ëndrrave që do t’i mundësonte asaj të jetonte njëjte si të gjithë njerëzit tjerë.

Ëndrrat e saj janë thyer nga mendjet e ngurta. Kështu e nis rrëfimin për vajzën e saj Indira. Por, të gjithë jetën e kishte mbështetur në një betim tjetër, ajo të funksiononte si hije e vajzës së saj, dhe e kundërta.

Ajo ka rrëfyer se gjatë shtatzënisë nuk kanë arritur të e zbulojnë që vajza është me sindromë, ndërkaq, thotë se fëmijën e ka lindur më herët.

Vetëm pas gjashtë muajve jetë, pasi që vajza kishte pasur shumë temperaturë, familja e mori vesh lajmin, pasi që pritën 6 javë për analizat.

Atë ditë nëna e saj kishte bërë një betim.

“Atë ditë jam betu që nuk kam me lanë vajzën kurrë anash, nuk kam me burgos, edhe ka me jetu jetën për të deri sa të jemi gjallë, edhe gjithmonë kam thënë kjo është hija ime, unë jam hija e saj edhe njëra tjetrën e përcjellim edhe përkushtimin maksimum ja kemi dhanë krejt familja”, deklaronte ajo.

Eloida Alija
Por, problemet për Eloidën ishin rritur kur i kishte ardhur koha për të hyrë në shkollë. Ajo qe e para në rrethin e Ferizajt që shkoi në shkollë normale.

“Kemi pas diskutime se ka qenë vajza e parë me sindromë që ka fillu shkollën. Elodia u kanë e para që e ka thy akullin me shku në shkollë normale. E ka pas mësuesen shumë të mirë, e ka pas mësuesen, shokët e shoqet që gjithmonë e kanë përkrah, jam e kënaqt edhe jam shumë me fat që e ka pas vajza këtë rreth”, shtonte. Më së shumti ishte mërzitur kur vajza e kishte përfunduar shkollimin fillor, kjo do të thoshte se për dallim nga shokët e saj, Eloida do të detyrohej të qëndronte në shtëpi.

“Ajo ditë ka qenë shumë e mërzitshme, e mbërriti Ela me pa po mu dhimke se po ju ndahen rrugët me shoqet e me shokët. Ja kemi dalë se jeta ish me shumë supriza, mu mbyll mu dera e shkollës për Elën u hap qendra për personat me sindromën Down që është në disa vende, e hapën në një hapësirë më të madhe, duhna me i cek qendra ku Ela tash bon kafe me Besnikun edhe shkojnë njerëzit i motivojnë i inspirojnë është aty, kafe me shije taman”, deklaronte nëna e Eloidës.

Pak kohë pasi përfundoi shkolla, vajza hyri në punë, e tashmë ka gati gjashtë muaj që çdo ditë shërben në një kafe në komunën e Ferizajt.

E ashtu siç edhe vajza kishte ëndërruar dikur, të vishte mantelin e bardhë, kjo po del të jetë një ëndërr që për pak ditë do t’i bëhet realitet.

“Jo secilit prej nesh ju plotësohen ëndrrat por së paku ëndrrat e disave prej nesh varen nga vet ne. Këtë fat nuk e pati Eloida, ëndrrat e saj gjithmonë janë varur nga të tjerët, nga këndvështrimi dhe ndërgjegjja e tyre. Eloida nuk ëndërroi të bëhej asistente e mjekut, ëndërroi të bëhej një mjeke e vërtetë, e ndoshta po të bëhej do shëronte kto mendje të prishta e do ngrohte kto zemra te akullta diskriminuese. Por prapë se prapë Eloidës ju plotësua ëndrra e punësimit, e ndoshta kjo do jetë nismë e plotësimit të shumë ëndrrave të “ndaluara”, rrëfente nëna e vajzës, teksa tregonte me lot në sy për mundësinë e punësimit.

18’vjeçarja nga Ferizaj ishte takuar me mjekun që do ta punësojë derisa te ai po shkonte për të kryer kontrolla.

18-vjecarja, Eloida Alija
Burim Buzhala, stomatologu që ka pranuar që Eloida të jetë asistentja e tij, duke folur për Express thotë se kur kishte parë nënën e vajzës për herë të parë ajo ishte shumë e dëshpëruar pasi që kishte hasur probleme për vajzën edhe kur e kontrollonte për dhëmbë sepse thonin se ajo duhet të shkonte në klinika të specializuara.

Për këtë, në fillim kishte tentuar të bëheshin miq, e pastaj ia kishte kryer kontrollet.

“Jo vetëm këtë kategori por janë shumë kategori tjera që duhet t’i përkrahim e jo t’i margjinalizojmë sepse edhe këta janë pjesë e shoqërisë e bile bile janë më human në dashuri të pastërt, pa interes e me sinqeritet të madh. Arsyeja pse kam vendosur me marrë në punë është që të japim një mesazh te të gjithë për përkrahje të kësaj kategorie”, tha Buzhala.

Sipas nënës së saj, Ela gjithmonë e kishte parandjerë që do të bëhej mjeke.

“E do jetën shumë, ka vullnet shumë për jetën”, kështu përfundon rrëfimi. Personat me sindromën Doën në Kosovë Janë më shumë se 900 persona në Kosovë me sindromën Down. Për këtë ekziston edhe një shoqatë “Down Syndrom Kosova”.

Në një përgjigje për Express kanë bërë të ditur se vetëm nga Ferizaj janë të regjistruar mbi 90 persona, e 40 prej tyre marrin shërbime.

Sipas shoqatës, Eloida është vajza e parë e punësuar, që do të asistojë fillimisht me nga dy orë në ditë në ordinancën stomatologjike. Mirëpo, për këtë pjesë të shoqërisë, ka ankesa sa i përket përkrahjes institucionale.

“Sa i përket përkrahjes nga institucionet personat me sindromën Down duhet të kenë një përkrahje më të madhe për të përmbushur kushtet në bazë të nevojave që kanë. Nevojë tjetër është asistenca në shkolla e cila është shumë e domosdoshme. Shoqata ka nevoje për një mbështetje të qëndrueshme financiare nga Institucionet”, thanë nga DSK.

Personat me sindromën Down hynë në kategorinë e personave me nevoja të veçanta.

Momentalisht në Kosovë, rasti i Eloidës është i veçantë, ndërkaq, nuk ka raste të tjera të lajmëruar se kryejnë punë të tilla

-Sponzor-