Shkuan për pushime në Shqipëri, por familjes kosovare i ndodh më e keqja

0

Paratë të cilat janë ndarë nga qeveria e Kosovës për pushime të familjarëve të dëshmorëve me sa duket nuk po shfrytëzohen mirë. T7 mëson ekskluzivisht se në çfarë kushte të tmerrshme këto familje i kalojnë pushimet. Madje, kemi siguruar edhe fotografi të Hotelit se ku qëndrojnë, e të cilat nuk përmbushin as kushtet elementare. E më e keqja e këtij mesi është, që disa familjarë edhe kanë fituar infeksion nga pa pastërtia.

Ky është hoteli New York Grand Hotel në Golem, që duket mjaft luksoz.

Madje edhe emrin që e bart e ka Luksoz.

Këtu përgjatë muajve të verës, të ndarë në tri grupe kanë qëndruar familjarët e dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë.

Por, ani pse ky hotel ja mban vetit si hotel që përmbush kushtet për një pushim të mirë, një gjë të tillë e demantojnë familjarët e dëshmorëve.

Duke u ankuar për kushtet e hotelit, ata për T7 thonë se, në një dhomë kanë qëndruar deri në shtatë persona.

E, nga fotografitë e siguruara nga Televizioni Shtatë, dhomat janë krejt ndryshe nga ato që shfaqen në reklamat e hotelit.

Dyshekë të vjetruar, dollapë krejt të shkatërruar, banje që nuk përmbushin as nevojat minimale shihen në këto pamje që kanë dërguar familjarë të dëshmorëve që sivjet kanë qenë pjesë e këtij pushimi.

Sipas njërit prej familjarëve, që në kushte anonime, ka rrëfyer qëndrimin atje papastërtia ka shkaktuar edhe infeksione në lëkurë.

Hiç më mirë nuk duket plazhi ku pushues janë familjarë të dëshmorëve kosovarë.

Në këtë video, shihen ujërat e zeza të ndërtesave dhe hoteleve përreth që derdhen në det e shumë pranë qëndrojnë familjarët.

Është Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve ajo që merret me gjithë organizimin e pushimeve.

Kryetari i kësaj shoqate, Xhavit Jashari e pranon që mund të ketë ankesa për infrastrukturë, por sipas tij nuk janë aq të mëdha sepse pushuesit po kalojnë përgjithësisht mirë.

Jashari thotë se kanë zgjedhur këtë hotel sepse janë ndarë të kënaqur herët e kaluara. Por sipas burimeve të njëjta brenda familjarëve, kushti i shumicës prej tyre për të shkuar në pushime ka qenë ndërrimi i hotelit.

Nëna, baballarë, gra ose fëmijë të dëshmorëve kanë të drejtën të përfitojnë nga ky beneficion.

Shumica e pjesëmarrësve janë në moshë të shtyrë. Rrjedhimisht, problemet shëndetësore janë shqetësim për ta. Për këtë, Jashari thotë se nëse ka ndonjë telashe dërgohen në qendrën mjekësore më të afërt, që është në Durrës.

Qeveria e Kosovës, sivjet ka ndarë 108 mijë euro që familjarët e dëshmorëve të dërgohen në pushime të verës. Këtu përfshihet edhe rehabilitimi në banja, varësisht nga nevojat. Një praktikë e tillë ishte ndërprerë gjatë qeverisjes së Isa Mustafës

-Sponzor-