S’i kanë nënshkrimet për mocionin, por VV thotë se po përgatiten për zgjedhje

0

Ani pse nuk i kanë nënshkrimet për mocionin, VV po thotë se po përgaditen për zgjedhje, shkruan Gazeta Metro.

VV ende nuk i ka siguruar 40 nënshkrime që ju duhen për të thirrur seancë për mocionin, mirëpo nga kjo parti, thonë se po bëhen gati për zgjedhje të reja.

Sponzor

Të paktën, kështu thuhet në një deklaratë të publikuar së fundi në rrjetin social Facebook.

“Ndër çështjet e trajtuara ishte edhe situata gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, dialogu me Serbinë dhe katër lëndët e adresuara nga VETËVENDOSJE! në Gjykatën Kushtetuese për të cilat po priten vendimet, si dhe përgatitjet që po bën Lëvizja për zgjedhjet e reja.”, thuhet në këtë njoftim.

Njoftimi i plotë:

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, ish ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, dhe asistentja ekzekutive e kryetarit, znj. Valë Gjonbalaj, sot gjatë ditës pritën në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkan, z. Arne Sannes Bjørnstad, dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, z. Jens Erik Grøndahl.

Biseda përgjatë takimit përfshiu shumë tema. U diskutua mbi situatën tejet të rënduar me COVID-19 nga qershori e sëkëndejmi, dhe rrezikun e përkeqësimit me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe dimrit. Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është shprehur edhe në ndihmat e fundit me 20 respiratorë nga Norvegjia. Ndër çështjet e trajtuara ishte edhe situata gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, dialogu me Serbinë dhe katër lëndët e adresuara nga VETËVENDOSJE! në Gjykatën Kushtetuese për të cilat po priten vendimet, si dhe përgatitjet që po bën Lëvizja për zgjedhjet e reja.

Në fund të takimit, Kryetari Kurti falenderoi Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkan, z. Bjørnstad, dhe ambasadorin Grøndahl për përkrahjen e vazhdueshme dhe të parreshtuar të Norvegjisë ndaj Kosovës dhe u zotua për fuqizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

-Sponzor-