Si tingëllon të thuash: KURRE MË!

0

Po, bashkëqytetarët e mi Romë, Ashkali dhe Egjiptianë duhet ta thonë këtë me zë të lartë dhe të qartë: “Nuk do të lejoj më kurrë që unë dhe familja ime të kërcënohemi nga uria”!

Kur pandemia COVID-19 na trokiti në dyer, e gjithë shoqëria jonë nxitoi të blinte miell. Ju mund të keni parë linja të gjata me njerëz që formoheshin përpara mullinjëve dhe njerëz gati duke luftuar në dyqane-supermarkete për të blerë ushqime. Në këtë rast frika dhe paniku kapërcyen mendimin dhe sjelljen logjike. Por, një situatë interesante më tërhoqi vëmendjen; Ju vështirë se mund të gjenit ndonjë Romë, Ashkali ose Egjiptian në ato turma. Jo sepse ne jemi më racionalë dhe nuk kemi frikë, përkundrazi, ne jemi frikësuar edhe më shumë sepse e dinim se nuk mund ta përballonim atë financiarisht.

Unë personalisht e njohë shumë mirë atë frikë dhe panikë. Shumë prej nesh në Kosovë e dinë se çfarë do të thotë të jesh në panikë për shkak të pafuqisë.Të shohësh duke vuajtur të afërmit tuaj, fëmijët tuaj, motrat dhe vllëzërit ose prindërit tuaj duke shkuar në shtrat të uritur dhe duke e ditur që nuk kanë asgjë për të ngrënë, dhe nuk mund të bëjnë absolutisht asgjë në lidhje me këtë gjendje.

Dhe kjo ndjenjë e pafuqishmërisë, e të hidhurës, dhe nervozës duke ditur dhe kuptuar vendin tuaj në skaj të shoqerisë nuk është komplet faji jonë.

Është pjesërisht produkt i mijëra veprimeve historike të persekutimit dhe efekteve negative, socio-ekonomike, mbi Romët, Ashkalit dhe Egjiptianët. Është injoranca e këtyre veprimeve negative të së kaluarës nga shoqëria mazhoritare. Pasqyrimi i kulturës në përralla zanash, si predikues të fatit të keq dhe vallëzueseve joshëse. Është përvetësimi i imazheve të Romëve dhe praktikave kulturore në kurriz të njerëzve të vërtetë. Është qasja e pabarabartë në ujë të pastër, dhe në strehim të sigurtë. Është pikërisht ndarja gjeografike mes ciganëve nga jo ciganët.
Papunësia e lartë deri në qiell si dhe jetëgjatësia në mënyrë drastike më e ulët, rrjedhin si pasojë e paragjykimeve të përhapura në polici, gjygjësi, qeveri, sistemin e kujdesit shoqëror dhe shërbimeve shëndetësore etj. Të gjitha këto kanë ndikuar në psiqikën kolektive që na shohin si ‘ciganë’, dhe për këtë arsye në nivel bazikë më të ulët se komuniteti shumicë.

Pra, ky është antigjipsizmi, qëndrimet kundër romëve, ashkalive dhe egjiptianëve ose shprehja e steriotipeve negative në sferën publike me gjuhë të urrejtjes. Një spektër më i gjerë i shprehjeve dhe praktikave diskriminuese, përfshinë shumë manifestime implicite ose të fshehura. Diçka që nuk ka të bëjë vetëm me ato që janë thënë ose bërë, por edhe me ato që nuk thuhen dhe nuk bëhen.

COVID-19 është një armik i racës njerëzore dhe për këtë arsye duhet të trajtohet si i tillë, nga të gjithë. Nuk bënë diferencime dhe përfshinë të gjithë, pavarësisht nga gjinia, mosha ose origjina e tyre etnike. Duke e ditur këtë fakt kemi frikë se nëse ky virus vjen në vendbanimet tona, në shtëpitë tona dhe përfshinë njerëzit tanë, do të jetë i pamëshirshëm. Me një fjalë; Dëmi do të jetë i tmerrshëm!

Kështu që ne duhet ta themi këtë me zë të lartë dhe të qartë tani: “KURRË MË”.
Ne nuk do ta lejojmë që të gjendemi përsëri në të njëjtën situatë. Kur të mbaroj panandemia COVID-19 ne atëherë do ta fillojmë “luftën tonë”. Por këtë herë, edhe më me shumë pasion dhe besim. Do ta fillojmë luften për arsim më të mirë dhe më cilësor, kundër varfërisë, kundër padrejtësive dhe pa dyshim kundër pa barazive.

Ka mënyra të ndyshme se si ta bëjmë atë dhe ka shumë shembuj pozitivë që mund ti ndjekim. Ndryshimi i praktikave dhe qëndrimeve të sjelljes është një nga më të rëndësishmet, veçanërisht për gjërat që konsiderohen si steriotipe por që mbizotërojnë ende në komunitetet tona.
Mirëpo, ne nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë vetë këtë ndyshim. Do të na duhet mbështetja dhe përkrahja e plotë e gjithë shoqërisë. Sepse duke qenë me neve komuniteti shumicë do të jenë edhe ata pjesë e ndyshimit. Andaj praktikat dhe manifestimet e antigjipsizmit duhet të zbuten dhe te zhduken në mënyrë që t’ia arrijmë qëllimit.

Po ashtu institucionet shetërore, sa iu përket komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptinan do të duhej të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa më afatgjata në: fushën e strehimit, zhvillimit të infrastrukturës, pjesëmarrjes ekonomike (punësimin dhe vetë-punësimin), qasjen në arsim dhe masa për të luftuar antigjipsizmin në shumë sektorë.

Po, unë disi mendoj se kjo qeveri dhe kjo shoqëri do ta bëjnë të mundur ndyshimin.
Pyetja e vërtetë është se a do ta bëjmë edhe ne? Epo, ne kemi motivim për një fillim të ri.

Isak Skenderi
Drejtor ekzekutiv në OJQ “VoRAE”

-Sponzor-