Spitali i ri i peditatrisë pritet të funksionalizohet në shtator të këtij viti

0

Derisa objekti i spitalit të ri kirorgjiko-pediatrik është gati, në të ende nuk po ofrohen shërbime shëndetësore. Kjo pasi që punëtorët shëndetësorë nuk janë mjaftueshëm të përgatitur për të dhënë shërbime në këtë spital, aq më shumë për të dhënë shërbime të reja, të cilat nuk janë ofruar mëherët në vend. Funksionalizimi i këtij spitali pritet të bëhet tek më 1 shtator të këtij viti. Nëse procedurat për përgatitjen e stafit vonohen, atëherë as në shtator nuk mund të ofrohen shërbime aty, raporton Gazeta Express.

Gati gjashtë vite pas financimit të ndërtimit të spitalit të ri kirorgjiko-pediatrik, vendi nuk ka arritur t’i përgatis punëtorët shëndetësorë për dhënien e shërbimeve në këtë spital.

Sponzor

Derisa objekti për këtë spital është gati, tek tani kanë filluar të bëhen planet për përgatitjen e punëtorëve shëndetësorë.

Mirëpo, tani problem po del të jetë pandemia COVID-19.

Pasi trajnimi i punëtorëve shëndetësorë nuk mund të bëhet në Kosovë, po shikohen mundësitë që ai të bëhet në Turqi.

Megjithatë, edhe dërgimi i tyre për përgatitje në Turqi mund të merr kohë.

Pediatri Ramush Beiqi, i cili është në krye të komitetit i cili po merret me planifikimet për këtë spital, ka thënë për Express se më 1 shtator të këtij viti spitali i ri mund të funksionalizohet dhe të fillojë punën me të gjitha kapacitetet.

Ai ka theksuar se deri tani ka pasur vonesa dhe se përgatitjet tani do t’i vështirësojë edhe pandemia.

“Ne e kemi bërë listën e punëtorëve shëndetësorë dhe atë listë do ta dërgojmë në Ministrinë e Shëndetësisë, sepse është fjala për një trajnim jashtë vendit. Ne do ta identifikojmë stafin e mesëm për këtë dhe kemi shumë punë. Trajnimi i stafit nuk mund të bëhet në Kosovë”, ka thënë ai.

Derisa përgatitjet nuk mund të bëhen në vend, Beiqi ka thënë se po shikojnë mundësitë për trajnime në Turqi.

“Tani janë shumë gjëra kufizuese, pasi edhe rrugët janë të mbyllura. E vetmja derë e hapur është Turqia, por edhe ky shtet është pak i mbyllur. Ne kemi bërë kërkesë në një spital në Stamboll, por ata na thanë që numri i intervenimeve është shumë i kufizuar”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se për përgatitjen e stafit do të duhen fonde, por siç ka shtuar ai, investimi në kuadro nuk është i shtrenjtë duke u bazuar në rëndësinë e saj.

Ndërsa, sa i përket funksionalizimit të këtij spitali, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se parashihet që investitori t’i dorëzojë punimet brenda gjysmës së parë të këtij viti dhe se ka grupe të cilat janë duke punuar në këtë drejtim.

Ai ka thënë se është duke u punuar në nevojat e resurseve njerëzore, pajisjeve dhe organizimit të punës.

“Fillimisht parashihet që investitori ti dorëzojë punimet brenda gjysmës së parë të këtij viti, kemi grupe duke punuar në atë drejtim, është krijuar një grup i cili është duke u marrë ekskluzivisht me nevojat e resurseve njerëzore dhe të pajisjeve dhe organizimit të punës që do të bëhet me këtë spital”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që në vitin 2015, Emiratet e Bashkuara Arabe kishin dhënë donacion prej 22 milionë eurove për ndërtimin e spitalit të ri pediatrik, por që ndërtimi e funksionalizimi i tij nuk është bërë me kohë./GazetaExpress/

-Sponzor-