Supremja lë në fuqi vendimet e Themelores dhe Apelit që kishin liruar nga akuza të akuzuarin për kanosjen e prokurorit Besim Susuri

0

Gjykata-Supreme-konstaton-shkelje-në-favor-të-të-pandehurit-S.M
AuthorRaporton: Senad LOKAJ Korrik 3, 2020 Gjakovë – Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të parashtruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kundër aktgjykimeve të Themelores dhe Apelit, në rastin ndaj Eshref Qafleshit, i akuzuar për kanosje të prokurorit Besim Susuri.Gjykata Themelore në Gjakovë, më 22 korrik 2019, pas rigjykimit e kishte shpallur sërish të pafajshëm të akuzuarin Eshrefi, me arsyetimin se në veprimet e përshkruara në aktakuzë sa i përket të akuzuarit, si dhe provave tjera të administruara, në mënyrë të sigurt mund të vërtetohet se këto veprime nuk përbëjnë dhe nuk mund të cilësohen si kanosje.E këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore në Gjakovë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, me aktgjykimin e 19 nëntorit 2019, derisa e kishte refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë si të pabazuar.Ndaj këtyre dy vendimeve, më 19 nëntor 2019, prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, aktgjykimet e Themelores dhe Apelit me të cilat i pandehuri ishte liruar nga akuza janë marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se arsyetimi i shkallës së parë është i paqartë, e nuk përmban arsye mbi faktet vendimtare.Mirëpo sipas Supremes, pretendimi i prokurorit është i pabazuar ngase aktgjykimet e kundërshtuara nuk përmbajnë shkeljet e pretenduara dhe se gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e saj ka dhënë arsyetim të qartë përkitazi me faktet vendimtare, duke u bazuar në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku kishte konstatuar se në veprimet e të akuzuarit nuk manifestohet figura e veprës penale.Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë edhe më 2 maj 2018, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Qafleshi, me arsyetimin se në veprimet e të njëjtit nuk kishte elemente të veprës penale të kanosjes.Mirëpo më pas, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 28 maj 2018, kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, për shkak të vërtetimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.Gjykata e Apelit, me vendimin e 24 janarit 2019, e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë së Gjakovës si të bazuar dhe e kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe vendosje.Eshref Qafleshi akuzohej se, më 8 qershor 2016, e ka kanosur seriozisht prokurorin Besim Susuri, pas mbajtjes së një shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, ku ishte palë e dëmtuar.Sipas aktakuzës, Qafleshi fillimisht kishte përdorur fjalë fyese ndaj prokurorit Susuri e më pas edhe e kishte kanosur me fjalët “ki me pa se kush është Eshref Qafleshi”, me të cilat veprime, organi i akuzës pretendonte se tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth. /BetimipërDrejtësi

-Sponzor-