Telekomi ende pa vendim për Z-Mobile

0

Vetëm edhe dy ditë ka kontratë valide Z-mobile me Telekomin e Kosovës për shfrytëzimin e resurseve të kësaj ndërmarrje publike. Edhe pse ditë më parë drejtues të Telekomit u deklaruan publikisht se nuk do të ketë vazhdim të kontratës me partnerin e saj dhjetë vjeçar, ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar për shkëputjen e kësaj kontrate.

Z-mobile me anë të vendimit të Arbitrazhit për ekzekutimin e 25 milionë eurove nëpërmjet përmbaruesit privat, është duke i bërë presion të madh menaxhmentit dhe bordit të Telekomit për vazhdimin e kontratës.

Sponzor

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi nuk ka dashur të komentoj lidhur me zhvillimet e fundit, përveçse ka sugjeruar t’i referohen postimit të tij të fundit lidhur me gjendjen e krijuar pas pranimit të propozim përmbarimin nga kreditori ”Dardafon.net LL.C. Sipas Istrefit, Telekomi i Kosovës do të ndjek të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore, që të prapësohet ky propozim përmbarim.

Po ashtu, edhe përfaqësues të Z-mobile, nuk kanë pranuar të flasin për KosovaPress, për këtë çështje.

Në anën tjetër, drejtuesit e Sindikatës së Punëtorëve në Telekom, paralajmërojnë se nga data 29 korrik do të futën në grevë të përgjithshme për parandalimin e lidhjes së kontratës së re me Z-mobile, si dhe kërkojnë nga gjykatat e vendit që mos të lejojnë ekzekutimin e vendimit të Arbitarzhit për përmbarim.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lahmih Balaj për KosovaPress, thotë beson se vendim për 25 milionë euro nuk do të ekzekutohet, edhe pse sipas tij, është mjaft i rrezikshëm.

Ai tha se këtë presion që është duke e bërë Z-mobile, është duke e bërë për të shantazhuar menaxhmentin e Telekomit që t’i vazhdohet kontrata.

“Duke parë që më Z mobile nuk ka vend në Telekomin e Kosovës, atëherë, ata e kanë nxjerrë këtë vendim dhe kanë dërguar në përmbarim me bërë një lloj shantazhi që me mundur me vazhduar kontratën, por po flas në zhargonin popullor që “duhet me iu ruajt shqelmit të fundit para se me dhënë shpirt”. Edhe unë po them se Z mobile në Telekom është duke ‘dhënë shpirt’ dhe ditën e fundit e ka më 30 korrik, sepse në asnjë mënyrë në asnjë formë nuk do të pranojmë që në emër të shantazheve të mundohet të vazhdohet një kontratë e tillë. Ne si punëtorë jemi të vendosur që në asnjë mënyrë, me asnjë çmim mos me toleruar që të vazhdohet një kontratë e tillë”, thotë Balaj.

Edhe sindikata ende nuk ka pa ndonjë vendim të ri për ndërprerjen e kontratës me Z-mobile.

Balaj shton se nga 23 korriku është formuar këshilli i grevave për organizimin dhe grupimin e punëtorëve që më 29 korrik të fillojë të mbahet greva.

“Në asnjë mënyrë dhe jemi të vendosur si punëtorë që më datën 30 korrik t’i japim fund një herë e përgjithmonë kontratës me Z mobile… E kemi paralajmërua grevën, nuk ka protestë më, e cila do të bojkoton të gjitha… Ne kemi paralajmëruar prej datës 23 do të formohet Këshilli i grevave që të merret me organizim prej datës 29 do të fillon grupimi i punëtorëve që do të. Në asnjë mënyrë nuk do të pengohet puna e Telekomit të Kosovës, ose klientëve të Valë, por ne do t’i bojkotojmë të gjitha produktet dhe punën që kryhen për “Z mobile” brenda Telekomit, sepse për ne skadon kontrata më 30 korrik dhe nuk vazhdohet më”, thotë ai.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës pati njoftuar se më 15.07.2019 ka pranuar Propozim Përmbarimin nga Kreditori ”Dardafon.net LL.C.” Ndërsa, Telekomi i Kosovës në cilësinë e Debitorit sipas këtij njoftimi i obligohet Kreditorit me 25 milionë euro, vlerë kjo që pritet të saktësohet pas ekspertizës financiare, ku pritet të kalkulohen edhe kamatat.

“Si bazë e kërkesës përmbarimore është Vendimi i Arbitrazhit (ICC) 20990/MHM. Telekomi i Kosovës njofton të gjithë palët e interesit dhe vetë Dardafon.net (Zmobile), se në këtë gjendje në të cilën ndodhet, gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere. Telekomi i Kosovës do të ndjek të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore, që të prapësohet ky Propozim Përmbarim. Po ashtu do të njoftohet edhe në mënyrë zyrtare vetë aksionari për këtë rast”, kështu ka shkruar Istrefi.

Një akt i tillë, sipas tij, do krijonte një situatë gati të paimagjinueshme dhe rrjedhimisht një kolaps në operime, humbje të besimit ndaj partnerëve, furnitorëve dhe vetë klientelës së Telekomit të Kosovës.

Pasiguria rreth të ardhmes së Telekomit të Kosovës, do ketë ndikim direkt tek vetë punëtorët, të cilët demotivimin do ta reflektojnë direkt në krijimin e një krize të brendshme, e që lidhet zinxhirë edhe me vetë gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë

-Sponzor-