Thaçi: I am very proud që e kam udhëheq UÇK-në

0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ndjehet shumë krenar që ka udhëhequr me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kur është pyetur se a frikësohet nga Gjykata Speciale.

“Unë tash e tri dekada ballafaqohem me Serbinë. I am very proud (jam shumë krenar) që e kam udhëheq UÇK-në”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Sponzor

“Politika duhet ta bëj punën e saj dhe të mos ndërnyjë në drejtësi – në anën tjetër vlerat e UÇK-së nuk mund t’i cenojë askush”.

Thaçi ka thënë se nëse klasa politike kosovare nuk është unike sa i përket temës së liberalizimit të vizave, atëherë ky liberalizim mund të shtyhet deri më 2020.

Ai e dha këtë deklaratë në një konferencë për media pas kthimit të tij nga Nju Jorku ku ndodhej në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku edhe ishte takuar me zyrtarët më të lartë të SHBA-së, atyre evropianë dhe të OKB-së.

“Thërras të gjithë politikanët dhe partitë politike në vend që të kemi një kontinuitet dhe qëndrim që përgjegjshëm dhe të disiplinuar që me një zë të flasim për domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave në një afat sa më të shkurtër kohor prej disa muajsh”, ka thënë ai.

“Nëse ndodh e kundërta rrezikojmë që i gjithë procesi të shtyhet deri në vitin 2020”.
“Nëse ne jemi unik, kjo e arritur rezulton e përmbyllur në muajt e ardhshëm”.
Thaçi riktheksoi se opinionet e ndryshme sa i përket progresit të vendit rrezikon që ta shtyjë liberalizimin e vizave deri në vitin 2020, dhe se kjo është në duart e vetë kosovarëve.

“Nëse kemi opinione dhe zëra të ndryshëm dhe dallime sa i përket progresit, për interesa publikë ditorë atëherë liberalizimi rrezikohet deri në vitin 2020”.

“Vendimi për liberalizim të vizave është në duart tona”.

“Askush prej nesh nuk ka të drejtë të rrezikojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Ai poashtu, ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Thaçi ka thënë se në Asambleja e përgjithshme e Interpolit që do të mbahet në Dubai ka rëndësi të madhe për Kosovën.

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të rrisë përgjegjësinë edhe më tepër të vendit tonë në luftën kundër terrorizmit, migrimit ilegal dhe të gjitha gjërat tjera negative. Andaj i ftoj edhe njëherë të gjithë përfaqësuesit e shteteve që ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në Interpol”, tha presidenti Thaçi.

Anëtarësimi i Kosovës në Interpol sipas tij do të jetë në interes të të gjitha shteteve anëtare të Interpolit.

Ai tha se gjatë qëndrimit në Nju Jork  ka zhvilluar shumë takim me diplomatë të huaj dhe se ka biseduar për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Është një synim që do duhej të na bashkonte te gjithë neve, është interes  shtetëror i Kosovës, është interes strategjik i shtetit tonë”, tha ai.

-Sponzor-