Thaçi pas takimit me Boltonin: Kosova ka mbështetje unike për marrëveshje me Serbinë

0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur para gazetarëve pas takimit që pati me John Bolton, këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Presidenti Thaçi pas takimit është shprehur se Kosova ka mbështetje unike dhe të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan lajmi.net.

Sponzor

Ai gjithashtu ka potencuar se kanë konstatuar bashkërisht me Boltonin se tani është momenti historik të cilin nuk duhet ta humbin Kosova dhe Serbia për të arritur marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke.

“Ka një mbështetje unike, të plotë, ishte një konstatim i përbashkët se është momentumi i duhur, moment historik të cilin nuk duhet ta humbin Kosova dhe Serbia, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohjen reciproke, ndryshimin e rezolutës 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha presidenti pas takimit.

I pari i vendit është shprehur se edhe Shtëpia e Bardhë, administrata e presidentit Trump dhe Bolton, theksuan qartë se me zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, duke përfshirë edhe përmbylljen e konfliktit një shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshje paqësore, edhe Evropa do të jetë më e qetë e më e fortë.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke thënë se marrëveshja me Serbinë do t’i hapte perspektiven e sigurt të Kosovës drejt anëtarësimit.

“Konstatuam bashkërisht se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe energjitë dhe në Kosovë të ketë një konsensus më të gjerë politik në mënyrë që edhe marrëveshja të jetë sa më e implementueshme, sa më efektive, në mënyrë që të krijojmë paqe dhe stabilitet në rajon dhe që Kosova ta ruaj karakterin e vet multietnik, dhe karakterin shpirtin e vet euroatlantik”, është shprehur Thaçi.

Ai gjithashtu ka thënë se bashkërisht me Bolton kanë konstatuar se tani duhet të ndodh marrëveshja dhe njohja reciproke e kjo njohje të bëhet edhe me heqjen e Veto-s ruse në Këshillin e Sigurimit dhe Kosova të fitoj njohe globale.

Thaçi në fund ka theksuar se marrëveshja do të jetë gjithëpërfshirëse, që përfshin shumë aspekte ose çështje të hapura mes Kosovës dhe Serbisë të cilat ekipi negociator i cili do të votohet në Kuvendin e Kosovës do t’i negocioj me ekipin negociator të Serbisë.

“Do të ishte me rëndësi të inkuadrohej edhe opozita në mënyrë që Kosova të jetë më unike dhe më e qëndrueshme në raport me Serbinë”, është shprehur Thaçi.

Krejt në fund, Thaçi tregoi se është përgëzuar për reformat në drejtësi të kaluara në Kuvendin e Kosovës nga Ministria e Drejtësisë duke shtuar se konstatim i përbashkët i tij dhe Bolton ishte se as Kosova dhe as Serbia nuk mund të ecin përpara pa marrëveshje.

“Dhe ne e dimë se në Ballkan, ose ka ecje përpara ose mbrapa dhe ‘status quo’ janë të paqëndrueshme.

-Sponzor-