Thirrja prekëse e vajzës shqiptare: Numëroj ditët që më kanë mbetur për të jetuar

0

“Në 27 vite nuk më kanë pushuar lotët…gjëja më e tmerrshme që ka Aishja është kur e zënë dhimbjet e veshkave. Kur e zënë veshkat më thotë, o bam ë bëj diçka… nuk kam çfarë bëj, i them a do të jap veshkat e mia…”

27 vite duke u kujdesur për vajzat e saj të paralizuara, Hasani është babai hero që preku zemrat e të gjithë shqiptarëve me rrëfimin për vajzat. Rasti i Aishes ishte mjaft i rëndë, ajo pak kohë më parë falë thirrjeve të emisionit shqiptarët për shqiptarët, iu nënshtrua një operacioni të vështirë.

Veshkat e Aishes janë të copëtuara. Njëra nuk i funksionon, kurse veshka tjetër ka gurë. Muaj më parë Aishja bëri një operacion mjaft të komplikuar, çka solli rimëkëmbjen e saj. Në atë kohë mjekët i thanë Aishes se nëse bën operacion për largimin e gurëve, gjasat janë që ajo të humbë jetën.

Sot Aishja kërkon sërish ndihmën e shqiptarëve. Ajo ka bërë apel përmes emisionit “shqiptarët për shqiptarët” se është gati të humbë jetën, vetëm që të pushojë dhimbja e tejskajshme që ajo ndien. 27 vjeçarja ka arritur fundin dhe dhimbjet nuk pushojnë. Rrëfimi i saj është prekës pasi nëse nuk ndërhyet në kohë, jeta e Aishes do të shuhet.

Aishja: Kam dalë me 7 gurë në veshkën që më funksionon. Përndryshe unë rrezikoj jetën, nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Ky operacioni në Shqipëri nuk mund të behet. Mjekët më dhanë 90% vdekje dhe 10% jetë mundësi nëse unë nuk e kryej këtë operacion. Edhe sikur atje të jetë fundi i jetës sime, unë dua të shërohem, dua ta provoj sërish. Nuk dua më kështu se në çdo minutë edhe kur ha bukë kam gjithmonë dhimbje. Gjithmonë bëj qetësues, kush e ka provuar dhimbjen e veshkës e di çfarë dhimbje është. Prandaj ju lutem me gjithë zemër të dali dikush sepse kur ke dhimbje nuk është jetë, është të shtysh orët.

Unë u mundova shumë të buzëqesh por tani e kuptova që kaq duroj. Ju lutem të dali dikush edhe të më marri përsipër sikur edhe atje të jetë fundi i jetës por unë nuk duroj dot më. Asnjeri nuk do të rrijë kështu por halli të bën. I them O Zot mirë që linda e sëmurë, por duhet të duroj edhe dhimbjet. Nuk kam më frikë se jeta më ka kaluar spitaleve.

Në emisionin “shqiptarët për shqiptarët” Elvis Naçi u shpreh se në Shqipëri askush nuk e merr përsipër rastin e vështirë të Aishes. Naçi i bëri thirrje shqiptarëve që nëse njohin mjek apo një spital që mund të ndihmojë këtë vajzë të mund të njoftojnë apo ndihmojnë me këtë rast të vështirë.

Elvis Naçi: Të them të drejtën, është një ato raste… sado që jemi mundur t’i jemi afër, sprova e kësaj familje është shumë e madhe. Kjo ka qenë ndoshta historia më e veçantë sepse sado që të përmirësosh ka akoma. Kanë shkuar në spital privat dhe është një ndërhyrje delikate. 7 gurë ka në veshkën e saj Aishja, kure njëra nuk i funksionon. Sado që të flasësh nuk e tregon dot dramën. Më tha mos ndoshta ka ndonjë vend të botës, që mundet të marrë përsipër që ajo të mos rrezikojë jetën sepse këtu risku ishte shumë i lartë. Jemi në një vështirësi të madhe dhe do Zoti dikush na dëgjon, dikush që mund të jetë përballur me këtë lloj sëmundje dhe që njeh ndonjë doktor apo spital. Me Aishen deri më tani nuk ka ecur… shpresoj shumë që shqiptarët të na dëgjojnë, sakrifica ia vlen.

Sidrit Bejleri: Kur ka arritur të thotë që dua të sakrifikoj vetëm që të shpëtoj nga dhimbjet… e kujtoj kur kemi qenë në spital për t’i vizituar dhe mjekët thanë se ishte shumë e rrezikshme për t’i bërë antestezi.

Elvis Naçi: Ne do ta shpërndajmë lajmin për të dhe ndoshta dikush do të dalë e të bëhet sebep si të thuash për ta ndihmuar Aishen dhe familjen e saj, pasi lotët atje nuk mbarojnë.

-Sponzor-