Trump konfirmon sërish mbështetjen për Kavanaugh

0

Presidenti amerikan, Donald Trump ka ripërsëritur mbështetjen për Brett Kavanaugh, të nominuarin e tij për gjykatës në Gjykatën Supreme, duke bërë thirrje për votimin e tij, vetëm disa minuta pas përmbylljes së procesit të gjatë të dëshmive që kanë bërë Kavanaugh dhe Christine Blasey Ford, e cila ka akuzuar gjykatësin për sjellje të keqe seksuale.

“Gjyqtari Kavanaugh i ka treguar Amerikës pikërisht se pse e kam nominuar atë. Dëshmia e tij ka qenë e fuqishme, e sinqertë dhe bindëse”, ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter.

Trump e ka cilësuar kundërshtimin e demokratëve për kandidatin e tij dhe një seri të pretendimeve për sjellje të keqe seksuale kundër Kavanaugh në javët e fundit si “turp total dhe përpjekje për të shtyrë, penguar dhe rezistuar. Senati duhet të votojë!”.

Trump ka bërë këto thirrje pavarësisht dëshmisë së Ford, e cila ka thënë se është e “tmerruar” për paraqitjen e saj para Kongresit, mirëpo është “100 përqind” e sigurt se Kavanaugh ka tentuar ta dhunojë atë sa kanë qenë të rinj.

Çfarë ka dëshmuar Ford?

Kavanagh, konservator, ka dëshmuar para Komitetit Gjyqësor të Senatit me zemërim dhe lot.

“Betohem sot, para Senatit dhe kombit, para familjes dhe Zotit se jam i pafajshëm në këtë akuzë. Nuk kam sulmuar kurrë dikë seksualisht as në shkollë, kolegj apo ndonjëherë tjetër”, ka deklaruar ai.

Kavanaugh kundërshton ashpër akuzat kundër tij

Sikur edhe shumë persona të tjerë në botë, Trump ka shikuar seancën e mbajtur të enjten në Komitetin Gjyqësor të Senatit.

Një ditë para seancës, Trump ka thënë se ai mund të tërheqë nominimin e tij për Kavanaugh, nëse vërtetohen akuzat kundër tij.

Komiteti i Senatit ka caktuar datën e 28 shtatorit për të votuar rreth nominimit të Kavanaugh për Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme ka fjalën e fundit në ligjet amerikane dhe ka ndikim të konsiderueshëm në jetën politike në SHBA.

-Sponzor-