Turqia i jep urdhër Kosovës

0

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kivilcim Kiliç, deklaroi se dy vite pas përpjekjes për grusht shteti të kryer nga ana e organizatës terroriste FETO më 15 korrik të vitit 2016, Turqia ndodhet në një pozitë në të cilën vazhdon të zhvillojë ekonominë e saj duke forcuar demokracinë dhe institucionet e veta.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), ambasadorja Kivilcim Kiliç theksoi se që nga kjo përpjekje për grusht shteti, Turqia është duke e zhvilluar ekonominë e saj në kuadër të masave të marra në bazë të ligjit për të pastruar institucionet nga mbetjet e FETO-s.

Sponzor

Ambasadorja turke në Kosovë, e cila theksoi se në natën e 15 korrikut populli turk i ka treguar miqve dhe armiqve se demokracia është një vlerë për të cilën duhet të luftohet deri në vdekje, natën e tentativës e cilësoi si natë ku u shënua fitorja e demokracisë.

Ajo deklaroi se edhe këtë vit, si vitin e kaluar, do t’i kujtojnë dëshmorët të cilët pa frikë kishin dalë në rrugë për ta mbrojtur demokracinë më 15 korrik kundër realizatorit të sulmit tradhtar të organizatës terroriste FETO. Kiliç njoftoi se nën organizim të ambasadës turke në Prishtinë do të mbahet edhe ceremonia përkujtimore e 15 korrikut.

Kılıç tha se me rastin e “15 korrikut – Ditës së demokracisë dhe unitetit kombëtar”, ambasada turke në Prishtinë dhe konsullata e përgjithshme në Prizren në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre do të organizojnë ekspozita fotografish në këto dy qytete të Kosovës, ndërsa shtoi se do të organizohet edhe “Marshi Solidariteti i Demokracisë” që për herë të parë ishte mbajtur vitin e kaluar me iniciativën e shoqërisë civile në Kosovë.

Kıiliç po ashtu shtoi se do të ketë edhe lutje për dëshmorët, ku organizatorë do të jenë Zyra e Këshilltarit për Çështje Fetare pranë ambasadës së Turqisë në Prishtinë dhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Duke nënvizuar se FETO është një organizatë jotransparente me qëllime tradhtare dhe se strukturat e tilla nuk duhet të kenë vend brenda demokracive, Kılıç u shpreh e kënaqur me faktin se shumë shtete të botës dhe opinionet publike kanë filluar ta kuptojnë këtë.

“Strukturat e FETO-s janë duke u shqytruar me vëmendje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një zhvillim shumë serioz. Po ashtu, në vendet evropiane, në Gjermani dhe në Britani, në deklaratat e autoriteteve dhe në raportet e përgatitura është vërejtur qartë se nuk mund të mohohet fakti që prapa tentimit për grusht shteti më 15 korrik qëndron FETO, e cila me strukturat e saj komplekse ka depërtuar për vite në burokracinë, ushtrinë dhe gjyqësorin e shtetit të Turqisë. Kjo tregon se tani kemi rezultate konkrete nga aktivitetet tona informuese të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit”, tha Kiliç.

Kılıç potencoi se FETO ende është aktive në Ballkan, duke vazhduar të helmojë publikun me disa struktura dhe me të ashtuquajtura “institucione arsimore”.

Ambasadorja turke u shpreh se deportimi i gjashtë pjesëtarëve të FETO/PDY-së në muajin mars si rezultat i raporteve të përgatitura dhe vendimeve të marra nga institucionet e Kosovës ka qenë një masë e rëndësishme parandaluese.

“Ky është një zhvillim i rëndësishëm që tregon se në Kosovë ka filluar të kuptohet se sa e rrezikshme është organizata teroriste FETO. Natyrisht, ne presim që strukturat e kësaj organizate këtu të marrin një goditje totale. Pritjet tona janë se duhet të ketë rezultate konkrete të mëtejshme rreth luftës tonë kundër kësaj organizate. Bashkëpunimi ynë i afërt në të gjitha nivelet dhe institucionet e Kosovës është duke vazhduar”, tha Kiliç.

Duke theksuar se gjysma e shkollave të FETO-s në botë janë të hequr nga kontrolli i kësaj organizate, ajo tha se presin që në periudhën e ardhshme të ketë zhvillime sa i përket institucioneve të tyre arsimore, edhe pse, siç vuri në dukje Kılıç, e dinë se kjo organizatë ka shumë struktura të ndryshme.

“Ne e kemi thënë edhe më herët, pra, kur bëhet fjalë për këto shkolla, e shohim se janë marrë një numër masash nëpër botë për të ashtuquajturat ‘institucione të arsimit’, ngase kanë filluar të kuptojnë fytyrën e vërtetë të organizatës terroriste FETO. Sot, në më shumë se tridhjetë shtete të botës mbi 100 shkolla të FETO- ose janë mbyllur, ose kanë kaluar në kontrollin e shtetit ku ato ndodhen, apo i janë transferuar Fondacionit Maarif”, u shpreh Kiliç.

Sipas ambasadores, pranimi i kërkesës për azil të pjesëtarëve të FETO-s nga autoritetet e Kosovës është i rrezikshëm në aspektin e të drejtës ndërkombëtare. Ajo vuri në dukje se dhënia e statusit të refugjatit për anëtarët e FETO-s është shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe e dispozitave përkatëse të Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1951 mbi Statusin e Refugjatëve, të cilën Kosova e ka pranuar me deklaratë të njëanshme.

Kılıç tha se Turqia nuk dëshiron që një vend mik siç është Kosova të jetë një shtet që bën shkelje të detyrimeve ndërkombëtare dhe hap dyert e saj për terroristët. Diplomatja turke, duke iu referuar disa lajmeve në media lidhur me dhënien e statusit të refugjatit për pjesëtarët e FETO-s në Kosovë, nënvizoi se Kosova duhet të rishikojë këto vendime në përputhshmëri me detyrimet e saj ndërkombëtare, dhe shtoi se pret tërheqjen e këtij statusi

-Sponzor-