Varfëri ekstreme, Serbia shfryen mllefin në refugjatët e Kosovës atje

0

Komisariati Serb për Refugjatët prezantoi një raport mbi kushtet e jetesës së refugjatëve nga Kosova në Serbi, i cili tha se rreth 68,500 nga pothuajse 200,000 janë në gjendje të keqe.
Zv/komisionerja Svetlana Velimiroviç tha për mediat në Beograd se këta refugjatë konsiderohen të jenë “në nevojë”, dmth. ata përballen me strehim të keq dhe papunësi ose kanë pak ose aspak të ardhura.

“Detyra e Komisariatit është të monitorojë nevojat e personave të zhvendosur në mënyrë që të përdorë më mirë fondet e kufizuara që janë në dispozicion për ne,” tha Velimiroviç.

Sponzor

Raporti u realizua me agjencinë e OKB-së për refugjatët, UNHCR. Një nga autorët e tij, Ivana Aniç Curko nga Komisariati për Refugjatë, tha se me buxhetin e kufizuar të institucionit do të duheshin 55 vjet për të zgjidhur problemet e 68,500 të zhvendosurve nga Kosova që janë në nevojë.

Sipas raportit, 76.7 për qind e të zhvendosurve janë serbë, ndërsa 14.9 për qind, pak më shumë se 10.000, janë romë, pasuar nga malazezët, boshnjakët/myslimanët dhe goranët “në përqindje shumë më të ulëta”.

Qeveria serbe i konsideron të gjithë ata si persona të zhvendosur brenda vendit dhe jo refugjatë, pasi nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Pothuajse një e treta janë të papunë, ndërsa të ardhurat totale mujore për më shumë se 75 për qind të familjeve janë nën 300 euro. Të ardhurat mesatare mujore të familjes janë vetëm 169 euro.

Pothuajse 50 për qind e njerëzve të zhvendosur në nevojë kanë shtëpi me qira ose jetojnë me të afërmit, ndërsa rreth 5,500 familje kanë prona të patundshme jo të përshtatshme për strehim, thotë raporti.

Më shumë se gjysma e personave të zhvendosur në nevojë (56.5 për qind) thanë se prona e tyre në Kosovë është shkatërruar, ndërsa 11.25 për qind thanë se ajo është dëmtuar, por e pabanueshme. Vetëm shtatë për qind thanë se mendojnë të rikthehen.

“Numri i rikthimeve në Kosovë ka qenë shumë i vogël dhe vazhdon të tkurret, që do të thotë se ne duhet të intensifikojmë përpjekjet tona,” tha përfaqësuesi i agjencisë së refugjatëve të OKB-së në Serbi, Hans Friedrich Schoder.

Schoder tha se vitet e fundit është bërë shumë për të mbyllur qendrat e përkohshme “të përbashkëta” që kanë strehuar refugjatë në Serbi, por ka akoma shumë për të bërë.

“Ne shpresojmë që së shpejti secila nga këto qendra kolektive të mbyllet, sepse ka ende disa familje të shpërngulura rome në gjendje të keqe atje që kanë nevojë urgjente për strehim më të mirë,” tha Schoder. (reporter.al)

-Sponzor-