Adem Grabovci aderon në Vetëvendosje

0

Fryma grabovciane për të grabitur postet publike i ka kapluar krerët e partisë së pushtetshme.

Ademi si individ mungon vetëm fizikisht në Vetëvendosje. Fryma e tij “jeton fuqishëm”, siç parapëlqen të thotë Kurti.

Pa iu dridhur qerpiku për shkeljen e premtimeve të dhëna në fushatë, Kurti me shokët e tij mbrëmë e ngritën flamurin e fitores.

Dy muaj pas ardhjes së Kurtit në postin e kryeministrit, mbrëmë kumtuan se ka zbarkuar edhe këmbësoria/militantët nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.

Ishte një kapje e fuqishme. Dukej më shumë si zaptim territoresh në gjendje lufte. Dukej si pushtim ushtarak.

Askush deri më tash nuk kishte kapur kaq shumë borde. Brenda një nate.

Gojëhapur mbeten edhe Nisma, AAK-ja, PDK-ja dhe LDK-ja.

Mbrëmja e 2 prillit do të mbahet mend gjatë në historinë e re të Kosovës, si mbrëmja më e turpshme politike.

Në të njëjtën kohë, brenda një sekondi, u pushtuan disa ndërmarrje publike. Ish-kandidati VV-së për deputet, Mentor Hyseni, ishte deleguar për ta pushtuar ndërmarrjen publike “Ujësjellësi i Prishtinës”.

I aderuari tjetër, Artan Dërmaku, u delegua për kapjen e Infrakos-it. Bashkë me të edhe anëtari shumëvjeçar i VV-së, Abdullah Lala. Dyshja do ta drejtojnë këtë ndërmarrje bashkë me Enis Berishën, një ish-zyrtar i cili dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Mbrëmë është kapur edhe Posta e Kosovës. Janë emëruar aty një grup anëtarësh të VV-së: Mentor Arifaj, Blerton Abazi, Sajmie Thaçi e Kujtim Shala.

Të gjithë menduam që kjo do të mbetët vetëm një gabim momenti i krerëve të VV-së. Prisnim se do të kërkonin falje dhe do t’i shkarkonin të nesërmen.

Ishim të gabuar.

E arsyetuan mbushjen e bordeve me militantë.

“Do ta ndalojnë gjakderdhjen financiare”, shkroi në Facebook ministrja Rozeta Hajdari. Përdori një fjali të famshme të Haki Abazit, të cilën ai e thotë nga dy herë në ditë por nuk ia beson askush.

Dukej qartë se nuk e ka shkuar ajo reagimin.

Nuk u mjaftuan me kaq. Liburn Aliu mori përsipër të flasë me gjuhën e njejtë me Shkumbin Demaliajn e AAK-së. Na bëri të qartë se militantët e VV-së e meritojnë që të jenë në borde.

Kapakun ia vuri shefi i tyre, Albin Kurti.

“Këto borde janë të përkohshme të cilat do të merren me ç’kapjen e plotë nga shpërdorimi dhe luftimin e krimit e korrupsionit brenda tyre”, shkroi Kurti, duke fyer kështu intelegjencen e çdo njeriu me një ditë shkollë.

Unë përsonalisht kam menduar që kryeministri në detyrë ka pak më shumë respekt për qytetarët e Kosovës. Nuk kam besuar që i shehë si dele lehtë të manipulueshme. Ekziston rreziku që edhe delet të mos kthehen mbrapa në kullosë, një minutë pasiqë si bari iu ke dhënë urdhrin për tu nisur drejt shtëpisë.

Megjithatë, Kurti shkon edhe më larg. Pretendon se e besojnë njerëzit që militantët e tij do ta bëjnë çkapjen e bordeve, vetëm disa orë pasi i madh e i vogël janë duke e akuzuar për kapje të shtetit.

Arroganca e Kurtit tregon qartë se ai është Hashim Thaçi i dytë i skenës politike. Është ai Thaçi që në përgjimet e publikuara nga Insajderi vendos gjithçka për kapjen e shtetit nga njerëzit e tij.

Vetëm dy gjëra mbeten të paqarta ende.

E para: Kush është Adem Grabovci i VV-së që i asiston Kurtit se cila ndërmarrje duhet të kapet dhe cili është personi i besueshëm që mund ta bëjë këtë?

Nuk e di saktë se cili mund të jetë: Haki Abazi apo Rexhep Selimi.

E dyta: Mbetet ende e paqartë se kush është Nijazi Kryeziu i Pronto’s në VV?

Ai që nuk lejon që Albini të bëjë gabime në emërimin e ndonjë personi nga jashtë VV-së, duke i thënë: Po te ja q. more nanën se nuk ban ky për bord. Nuk është i joni.

Një ditë do të zbulohen edhe operativa kriminale Kurtit, siç i ka ndodhur edhe PDK-së.

Megjithatë, sa nuk është bërë vonë shpresoj që Kurti dhe shokët e tij të ndryshojnë mendimin.

Nuk do ta bindin kurrë tërë popullin se militantët e tyre meritojnë që të emerohen në borde, ndërsa të njejtën nuk e meritojnë militantët e partive tjera.

Duket se Kurtit dhe krerëve tjerë të VV-së iu duket vetja aq mjeshtër të shkathët manipulimit, sa që kanë vetëbesimin se mund ta bëjnë edhe këtë. Megjithatë, i kisha këshilluar që ta ndëprejnë këtë diskurs komunikimi dhe të kërkojnë falje për brutalitetin e uzurpimit të bordeve. T’i shkarkojnë militantët dhe t’i emërojnë profesionistët.

-Sponzor-