Hoti: Familja Jashari bashkë me UÇK-në e bëri luftën e saj të lavdishme

0

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar 23 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.

Hoti ka thënë se familja Jashari me UÇK-në e bëri luftën e saj të lavdishme si një grup i vogël që më pas u rrit dhe u shndërrua në një forcë të madhe, e që ndryshoi rrjedhën e historisë dhe çoi drejt krijimit të elementit bazik për aleancën me botën e vlerave të civilizimit e demokracisë.

Sponzor

“Adem Jashari dhe familja e tij jetoi dhe veproi përmes vështirësive bashkë me gjithë popullin gjatë gjithë dekadës së paraluftës nën tiraninë e regjimit të Millosheviqit – duke u transformuar në simbolin e sakrificës dhe veprimeve luftarake me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të tij:

Secili prej nesh, brez pas brezi, ka qenë i preokupuar me rrëfimet e të kaluarës së familjes, fisit, paraardhësve dhe popullit tonë në tërësi. Rrëfimet plot dhimbje e dëshmojnë fatin tonë tragjik. Kjo ishte pasoja të cilin e dinim, dhe prandaj insistonim të dinim edhe shkakun e këtyre fatkeqësive. Një shkak që s’mund të ishte tjetër veçse politik. Kjo e ka zgjuar pasionin tonë për historinë kombëtare, e cila natyrisht se ishte e ndërlidhur me historinë rajonale dhe botërore. Në fund e kuptuam, e morëm vesh për interesat grabitqare të aleancave dashakëqija të fqinjëve tanë, dhe për konstelacionet gjeopolitike botërore që s’ishin në të mirën tonë, e të cilat i shtypnin kryengritjet tona, dhe të gjithë ne.
Nga kjo, nuk besoj të ketë popull tjetër që e kupton më mirë se ne, çmimin e shtrenjtë të lirisë dhe të flijimit e të sakrificës më sublime.
Frymëzuesi i lëvizjeve për të drejta civile dhe lirinë në të gjithë botën, Mahatma Gandhi thotë: “Një grup i vogël i shpirtrave të vendosur të pushtuar nga një besim i pashuar në misionin e tyre mund të ndryshojë rrjedhën e historisë”. E familja Jashari me UÇK-në e bëri luftën e saj të lavdishme si një grup i vogël që më pas u rrit dhe u shndërrua në një forcë të madhe – e që ndryshoi rrjedhën e historisë së popullit tonë, dhe çoi drejt krijimit të elementit bazik për aleancën me botën e vlerave të civilizimit e demokracisë.
Rrugëtimin tonë të përpjekjeve për liri të popullit, e ilustron mjaft mirë edhe një thënie e Nelson Mandelës: “Vetëm përmes vështirësive, sakrificave dhe veprimeve luftarake mund të fitohet liria. Lufta është jeta ime. Unë do të vazhdoj të luftoj për liri deri në fund të ditëve të mia.”
Adem Jashari dhe familja e tij jetoi dhe veproi përmes vështirësive bashkë me gjithë popullin gjatë gjithë dekadës së paraluftës nën tiraninë e regjimit të Millosheviqit – duke u transformuar në simbolin e sakrificës dhe veprimeve luftarake me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
E çmuara Familje Jashari,
Të nderuar familje të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Atdheut,
Të respektuar invalidë e veteranë të UÇK-së
Si kryeministër i vendit, jam i vetëdijshëm se Kosova ka rrugëtuar drejtë synimeve të saj për zhvillim duke u përballur me sfida nga më të ndryshmet kurse pritjet nga ana juaj kanë qenë shumë më të mëdha.
Na mbetet që përvjetorët si ky të na shtojnë edhe më shumë përgjegjshmërinë në detyrat që kemi në proces dhe ato që na presin në të ardhmen në mënyrë që ngjarjet si kjo t’i shënojmë duke renditur sukseset dhe të arriturat si shtet dhe si shoqëri. Ky do të jetë vlerësimi, respekti dhe nderimi më i lartë që u bëjmë atyre që dhanë më të shtrenjtën-Jetën e tyre për ne dhe të ardhmen tonë.
Këtë mund ta realizojmë, vetëm të bashkuar në projektet madhore për vendin, pavarësisht dallimeve politike në idetë dhe konceptet tona. Kështu do të mund ta krijojmë sinergjinë bashkë me vlerat e shenjta të luftës së UÇK-së dhe të gjithë brezave të paraardhësve tanë për suksesin e garantuar. Kështu do të kemi ndërgjegjen tonë të qetë bashkë me shpirtrat në paqen e përjetshme e të pavdekshmëve tanë Baca Shaban, Adem, Hamëz, Jasharajt tjerë, Prekazin heroik dhe gjithë Kosovën.
Të lartësuar qofshin gjithmonë.
E neve na priftë e mbara në të ardhmen tonë për të kujtuar e nderuar me dinjitet historinë tonë të lavdishme.

-Sponzor-