Isa Mustafa godet rëndë Kurtin, pasi nuk e bëri reciprocitetin

0

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, po e sheh si mashtrim të Qeverisë Kurti, deklaratën e Ministres së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila gjatë ditës së djeshme, tha se reciprociteti me Serbinë nuk është zgjidhje e problemeve.

Në një prononcim Reporterin, Mustafa tha se reciprociteti me Serbinë ka qenë ndër kauzat kryesore të zgjedhjeve nga ana e të gjithë atyre që kanë garuar me Vetëvendosjen dhe në kuadër të kësaj partie, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurtin, presidenten Vjosa Osmanin, si dhe krykuvendarin, Glauk Konjfuca.

Sponzor

“Mund të them se reciprociteti me Serbinë ka qenë ndër kauzat kryesore të zgjedhjeve nga ana e të gjithë atyre që kanë garuar me VV-në dhe në kuadër të VV-së, pra Qeverisë së tanishme, Presidentes, Kryeparlamentarit. Të gjithë këta tani formalisht janë në rregull, sepse kanë marrë vota nga qytetarët aq sa iu nevojiten të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan”, tha Mustafa për Reporteri.net.

Tutje, ish-kryeministri Mustafa tha se asnjë Qeveri nuk ka mundësi që t’i ikë dialogut me Serbinë, gjersa shtoi se ajo Qeveri e cila vë pengesa për bisedime, bie ashtu siç ka rënë ajo para kësaj.

Reklamë

“Të gjithë votuesit, mendoj se duhet ta keni ditur se dialogut me Serbinë s’mund ti ikë asnjë qeveri dhe ajo qeveri e cila vë pengesa për dialogun, bie, ashtu siç kanë rënë para kësaj”, u shpreh ai.

Mes tjerash, ish-kreu i LDK-së hodhi akuza se Qeveria Kurti po mashtron, pasi siç thotë ai, votën e shumicës e ka marrë që të mashtrojë dhe të bëjë çfarëdo që dëshiron.

“Pra, alternativat janë të qarta për qeverinë dhe të tjerët. Ata që iu kanë besuar zotimeve dhe premtimeve të tyre, tani e shohin realitetin. Qeveria po mashtron , por votën e shumicës e ka marrë të mashtrojë, të bëjë çfarë të dojë. Për fat të keq, edhe miratimin e një pjese të opozitës, që i mundësoi Vetëvendosjes konsolidimin e pushtetit absolut”, u shpreh ai.

Kjo deklaratë e Mustafës erdhi pasi Ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dje tha se nuk ka dashur që ta vendosë menjëherë reciprocitetin me Serbinë, por të shfrytëzojë mekanizmat rajonalë që të zgjidhin problemet që ekzistojnë mes dy shteteve.

“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë (në iniciativa rajonale), Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, u shpreh Hajdari.

-Sponzor-